Last Updated on 30/06/2026 by Anisa
Ndërkohë që brenda sallës së Parlamentit vijojnë diskutimet e rendit të ditës, jashtë ambienteve të Kuvendit protestuesit vijojnë me thirrjet e tyre. Një grup protestuesish janë grumbulluar përpara institucionit duke kërkuar largimin kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit nuk ndodhet në Kuvend.
Në shenjë revolte, protestuesit kanë marrë një kazan mbeturinash dhe e kanë vendosur pikërisht pranë derës kryesore të Kuvendit. Përmes këtij akti simbolik, ata i janë drejtuar deputetëve dhe zyrtarëve me thirrjet: “Vendi juaj është këtu!”.
Gjatë tubimit, thirrjet e qytetarëve kanë qenë të drejtuara si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj liderëve të vjetër të politikës dhe opozitës aktuale. Mes thirrjeve të tyre dëgjohen qartë thirrjet:
“Rama-Berisha e keni vendin në kosh!,“Revolucion!”
Për të parandaluar ndonjë incident apo përshkallëzim të situatës, forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë rrethuar të gjithë perimetrin përpara Parlamentit, duke krijuar një kordon sigurie mes protestuesve dhe hyrjes së Parlamentit./ad
