Ngushtica e Hormuzit, pika kyçe për tregtinë globale të naftës, po përjeton orë paqartësie diplomatike dhe luhatje të forta në tregje, ndërsa deklaratat e fundit nga Teherani dhe Uashingtoni sinjalizojnë një përzierje të shpresës për paqe dhe kërcënimeve për përshkallëzim.
Kryetari i Parlamentit të Iranit paralajmëroi se Ngushtica e Hormuzit “nuk do të mbetet e hapur” nëse SHBA-ja vazhdon bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
Ky kërcënim vjen pavarësisht faktit se ministri i Jashtëm iranian deklaroi më herët se kalimi është “plotësisht i hapur” për anijet tregtare gjatë periudhës së mbetur të armëpushimit.
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh prerë se bllokada do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje, duke shtuar se rruga ujore është aktualisht “e hapur dhe gati për biznes”.
Një pikë e fortë debati mbetet pretendimi i Presidentit Trump se Irani ka “rënë dakord për çdo gjë”, përfshirë këtu edhe largimin e uraniumit të pasuruar nga territori iranian drejt SHBA-së.
Teherani e ka mohuar zyrtarisht këtë pretendim, duke e cilësuar uraniumin e pasuruar si “të shenjtë” dhe duke hedhur poshtë mundësinë e transferimit të tij.
Lajmet për hapjen e ngushticës shkaktuan një rënie të menjëhershme të çmimit të naftës me afro 10% në bursat ndërkombëtare. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se paqartësia mbi një marrëveshje afatgjatë mund të mbajë çmimet nën presion edhe pas përfundimit të armëpushimit aktual.
Edhe pse Trump po e projekton këtë situatë si një “fitore diplomatike”, diferencat mes dy palëve mbeten të thella dhe situata në terren, sipas të dhënave të MarineTraffic, tregon një lëvizje të kujdesshme të anijeve çisternë./ kb
