Një 43-vjeçar me origjinë marokene ka humbur jetën gjatë një ndërhyrjeje të policisë në lagjen Pilastro të Bolonjës, në Itali. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes.
Sipas mediave italiane, policia u thirr në rrugën Via Svevo pas denoncimeve të banorëve, të cilët raportuan se burri po sillej në mënyrë të çrregullt në zonën e garazheve të një pallati.
Në vendngjarje mbërritën efektivët e policisë dhe një ekip i urgjencës mjekësore. Sipas informacionit paraprak, 43-vjeçari, i identifikuar si Abderrahim Fakir, goditi automjetin e policisë. Agjentët përdorën sprej irritues dhe e neutralizuan duke i lidhur duart me pranga plastike. Pak më pas, ai shfaqi shenja të një gjendjeje të rënduar shëndetësore dhe ndërroi jetë.
Në rrjetet sociale po qarkullon një video e filmuar nga banorët e zonës, ku shfaqen momentet e përplasjes mes 43-vjeçarit dhe policëve. Në pamje dëgjohen thirrjet e tij për ndihmë, ndërsa dy efektivë e mbajnë të shtrirë me fytyrë nga toka, duke u përpjekur t’i lidhin duart pas shpine. Një person tjetër, që dyshohet të jetë banor i pallatit, i mban këmbët, ndërsa pranë ndodhen edhe dy punonjës të urgjencës.
Sipas dëshmitarëve, pas disa minutash burri pushoi së rezistuari dhe humbi ndjenjat. Njëri prej policëve tentoi të verifikonte gjendjen e tij, por nuk mori përgjigje.
Familjarët hedhin akuza të rënda ndaj policisë. Motra e viktimës deklaroi se nuk do të gjejë qetësi derisa të zbardhet e vërteta për vdekjen e vëllait të saj.
“Nuk do të gjej paqe derisa vëllai im të marrë drejtësi. Nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Na telefonuan vetëm për të na thënë se kishte vdekur. E prangosën dhe ai vdiq. Ata e sulmuan, e rrahën. Ka dëshmitarë”, u shpreh ajo për mediat italiane.
Edhe një banor i pallatit, që tha se ishte dëshmitar i ngjarjes, deklaroi se 43-vjeçari kërkonte vazhdimisht ndihmë.
“Ai vetëm thërriste ‘ndihmë’. Ishte i shqetësuar, por nuk po bënte asgjë tjetër. Pas britmave, dikush nga pallati njoftoi policinë”, tha dëshmitari.
Abderrahim Fakir ishte sipërmarrës në sektorin e logjistikës, i martuar dhe jetonte në Borgonuovo di Sasso Marconi, pranë Bolonjës. Ai ndodhej në Via Svevo për të vizituar disa të afërm.
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, e cila pritet të sqarojë shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë./mxh
