Last Updated on 02/06/2026 by Kesjana
Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastasi, ka bërë thirrje për një kujdes më të madh të prindërve në edukimin dhe formimin e fëmijëve, mes debatit për terapinë hormonale që jepet në QSUT për transgjinorët.
Gjatë fjalës së tij, Imzot Anastasi theksoi se familja mbetet institucioni kryesor në ruajtjen e besimit, traditës dhe vlerave të trashëguara ndër breza.
Mitropolit Anastasi u shpreh më tej se shkolla nuk është gjithmonë në të njëjtën linjë me familjen në procesin e edukimit, duke shtuar se fëmijëve po u transmetohen mesazhe që vendosin theksin te mënyra se si ata ndihen, më shumë sesa tek identiteti i tyre.
Ai paralajmëroi se familjet nuk duhet të qëndrojnë indiferente ndaj këtyre zhvillimeve, pasi, sipas tij, njerëz me agjenda të mirëcaktuara po synojnë shkatërrimin e familjes dhe të shoqërisë.
“Duhet të kujdeseni për fëmijët tuaj. Jeni të bindur që askush nuk kujdeset siç kujdeseni ju, sepse keni rrënjët, keni besimin, keni traditën, keni shembullin e të parëve. Dhe fatkeqësia juaj më e madhe që keni për fëmijët sot e dini kush është? Sepse shkolla nuk është më në krahun tuaj. Sepse në shkollë do t’u mësohet fëmijëve tanë që nuk ka rëndësi se çfarë je, ka rëndësi se si ndihesh. Dhe ata do ta orientojnë, në një përqindje shumë të madhe, që fëmija të mos ndihet ashtu siç është. Kështu që keni një barrë të madhe që t’i ofroni te Perëndia fëmijët tuaj ashtu siç ua dha: të pastër, të shëndetshëm, jo vetëm trupërisht, por shpirtërisht mbi të gjitha. Të mençur, të formuar jo vetëm duke i çuar nëpër kurse matematike, anglishte e në çfarëdo lloj shkence, patjetër që të gjitha duhen.
Neve qëndrojmë të qetë, mendojmë se nuk do të vijë asnjëherë te ne kjo punë. Por ata që kemi përballë nuk janë njerëz që rastësisht e bëjnë këtë gjë, nuk janë njerëz që ngrihen në mëngjes edhe thonë ‘hajde çfarë mundemi të bëjmë sot’. Jo, janë njerëz që kanë agjenda të mirëcaktuara, dhe kanë vënë në syrin e tyre, si qëllim të tyre, fëmijët tuaj, familjen tonë, për të shkatërruar shoqërinë tonë, për të na shpërbërë, për të qenë thjesht individë dhe konsumatorë sepse kështu na kanë më të thjeshtë, më të lehtë e kanë për të na zotëruar”, u shpreh Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastasi. /kb
