Last Updated on 23/07/2026 by EL
Gati një muaj pas tërmeteve shkatërruese, Venezuela përballet me një sfidë të madhe për rindërtimin, rikuperimin dhe zbutjen e dëmeve sociale e ekonomike të shkaktuara nga fatkeqësia më e rëndë natyrore e dekadave të fundit.
Tërmetet e 24 qershorit në Venezuelë mund të kenë shkaktuar dëme të drejtpërdrejta fizike prej rreth 19,6 miliardë dollarësh (17,2 miliardë euro), sipas një vlerësimi të Grupit të Bankës Botërore.
Kjo shifër tregon nevojën urgjente që vendi të investojë në një proces rindërtimi të shpejtë dhe të qëndrueshëm, në mënyrë që ekonomia të rimëkëmbet.
Të dhënat u publikuan në raportin Global Rapid Damage Estimation (GRADE), të hartuar nga Banka Botërore. Qëllimi i vlerësimit është t’i japë qeverisë venezueliane dhe partnerëve të zhvillimit një panoramë të hershme të përmasave të rindërtimit të nevojshëm dhe të ndihmojë në përcaktimin e fushave që kërkojnë ndërhyrje më urgjente. “Termetet kanë ndërprerë jetën e njerëzve, kanë dëmtuar infrastrukturën kritike dhe kanë krijuar sfida të reja për rimëkëmbjen e Venezuelës. Rikuperimi efektiv fillon me të dhëna të besueshme”, tha Susana Cordeiro Guerra, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Amerikën Latine dhe Karaibet. Sipas raportit, pjesa më e madhe e dëmeve është regjistruar në ndërtesat e banimit. Rreth 47% e dëmeve totale prekën banesat, ndërsa infrastruktura përbënte 27% dhe ndërtesat jo-rezidenciale 26%. Shteti La Guaira dhe Distrikti i Kryeqytetit (Distrito Capital) morën goditjen më të madhe, duke përbërë rreth gjysmën e dëmeve totale.
Banka Botërore analizoi gjithashtu ndikimin e mundshëm ekonomik dhe social të katastrofës. Sipas saj, ritmi i rindërtimit do të jetë vendimtar për mënyrën se si ekonomia dhe shoqëria venezueliane do të rikuperohen.
Nëse fondet për rindërtim do të jenë të kufizuara dhe do të devijohen nga projekte të tjera investimi, procesi mund të zgjasë më shumë se 10 vite dhe të ketë pasoja negative për aktivitetin ekonomik.
Por një rindërtim i shpejtë, i shoqëruar me rritje të investimeve publike dhe private, mund të zvogëlojë ndjeshëm ndikimin ekonomik dhe social të tërmeteve. Për të përllogaritur dëmet, metodologjia GRADE përdor imazhe satelitore, të dhëna mbi zonat e prekura, modele inxhinierike dhe analiza të rrezikut nga katastrofat natyrore. Në rastin e Venezuelës, vlerësimi u bazua edhe në të dhëna historike, matje të lëvizjes së tokës, informacion mbi dobësinë strukturore të ndërtesave, popullsinë dhe raportime nga qeveria, organizatat lokale, partnerët ndërkombëtarë dhe mediat. Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e marrjes në konsideratë të cenueshmërisë së familjeve gjatë rindërtimit. Faktorë si mosha, të ardhurat, cilësia e banesave dhe gjendja shëndetësore ndikojnë në mënyrën se si komunitetet përballojnë katastrofat. Shtatë nga zonat më të prekura, Miranda, La Guaira, Distrito Capital, Carabobo, Yaracuy, Aragua dhe Falcón kanë rreth 11,5 milionë banorë, afërsisht 40% të popullsisë së vendit. Në këto zona ndodhet edhe pothuajse gjysma e ndërtesave dhe infrastrukturës së ekspozuar ndaj rrezikut, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 657 miliardë dollarësh.
Ndër grupet më të cenueshme janë familjet me kryefamiljare gra, familjet me një prind të vetëm dhe familjet me të moshuar, persona me aftësi të kufizuara ose me probleme shëndetësore. Raporti nënvizon se rikthimi i shërbimeve bazë, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, duhet të jetë një përparësi gjatë rindërtimit, pasi ndërprerjet e tyre mund të kenë pasoja shumë më të mëdha për familjet në vështirësi. Megjithatë, numri i madh i njerëzve të prekur dhe kapacitetet e kufizuara institucionale mbeten ndër sfidat kryesore që mund të ndikojnë në shpejtësinë dhe cilësinë e procesit të rikuperimit.
