Last Updated on 08/10/2026 by EL
Drafti i PS që parashikon shkrirjen e bashkisë së Klosit solli përplasje mes Sali Berishës dhe deputetit socialit, Agron Malaj, ish-gardist i 21 janarit. Sali Berisha akuzoi Malajn se qëndron pas shkrirjes së Bashkisë Klos për interesa mafioze, të cilat, sipas tij i ndan me kryeministrin Edi Rama.
Në përgjigje, Malaj akuzoi Berishën se ish-komunat i kishte kthyer në banda dhe në shërbim të familjes së tij. Ai i kujtoi Berishën 1997 e grabitjen e pronave të shqiptarëve.
Sali Berisha: Shuani Klosin, një bashki me emër dhe potencial shumë të madh. Potencial të madh mineral, rezerva minerare botërore, potenciale të mëdha ujore, potenciale të mëdha të gjithanshme. S’ekziston. Sepse ai, ku është ky Malaj, ku është ky? Sepse ai ka interesat mafioze të tij, bashkë me Edi Ramën, të pandara. Po po, po po.
Agron Malaj: Doktorit i ka mbetur mendja te ish-komunat, se i kishte ish-kryetarët e komunave me vula nëpër çorape dhe e vetmja detyrë që dinin të bënin ishte të kërcënonin banorët me ndihmën ekonomike. I ka ngelur mendja te komunat që i kishte si banda, që në 372 komuna dhe bashki apo qytete të asaj kohe, i kishte kthyer në shërbëtorë të familjes së tij.
Ku ka mafioz më të madh se ti në Shqipëri, që dogje fabrika e uzina, na solle ’97-ën, na vodhe lekët? Nuk le gjë pa i bërë popullit shqiptar dhe na thua mafiozllëku. Koha e atyre ish-komunave që s’kishin fuqi të paguanin pagat, që t’u shërbenin banorëve në infrastrukturë, në rrugë, në ujitje, ka përfunduar.
Doktor, ka përfunduar edhe metoda jote. Ti ke një metodë: shpif, shpif, se diçka mbetet. Këtë e ke bërë me vite, vazhdon ta bësh dhe je mjeshtri më i madh për ta bërë këtë gjë. Je njeriu që do të gjykohesh, je gjykuar nga historia për atë që u ke bërë shqiptarëve dhe atë që vazhdon t’u bësh. Ku ka hajdutë më të mëdhenj se ju? Ju keni grabitur prona, s’keni lënë gjë pa u grabitur shqiptarëve.
