Last Updated on 15/09/2025 by adminfjala
Ben Andoni
Çfarë po e lodh më së shumti qytetarin shqiptar të viteve e dekadave të fundit është kotësia me të cilin rrethohet krejt jeta e tij! Kjo kotësi është e tillë saqë e ka zbrazur nga gjithçka: Shpresa, normaliteti i përditmërisë dhe ëndrrat. Në literaturë: Zbrazëtia si një gjendje njerëzore përshkruan një ndjenjë mërzie të përgjithësuar, alienimi shoqëror, nihilizmi dhe apatie. Bashkimi i gjithë këtyre elementëve sot shoqëron çdo aspekt të jetës tonë. Shqiptari i thjesht e përball si pasojë gjendjen nga produkti televiziv; nga arroganca e politikës dhe mospërfillja e saj ndaj qytetarit (fill pasi merr votën); e has në deklarime publike të ofiqarëve dhe në fund shqiptarit të thjeshtë i vjen në mungesën e vlerave dhe në padrejtësinë që tashmë ka qytetari të plotë.
Për një shoqëri si jona me ulje-ngritje të vazhdueshme, batërdi burokratësh, kaotizmin dhe befasitë e panumërta ka edhe një sens që lidhet me rrotacionet e shpeshta (jo në politikë por në punësimin) dhe mungesën e respektit të karrierës dhe traditës. Dikur mund të kesh qenë një person i nevojshëm dhe të tjerë më të paaftë të referoheshin, tashmë janë ata që ekzistojnë në punët më të paguara dhe të vlerësuar në shoqëri, kurse ti je e mbetesh këtej e tutje me të gjithë bagazhin tënd profesional një numëror demografik. Ka pasur vlera ose objektiva që u je kushtuar por tashmë ato janë të shumëzuara me Asgjënë. Ç’është më e keqja askujt nuk i bën kjo përshtypje!? Mënyrat e reja që do të gjesh për mbijetesë nuk shfaqen ose ndonjë shpresë e vakët do gjendet në fund të tuneleve gati pa dritë. Shumë profesionistë shqiptarë e kanë zgjidhur dhe do ta realizojnë duke ikur nga vendi, një nga alternativat më të mundshme.
Të tjerë që nuk munden do të gjejnë zgjidhje të tjera. Një pjesë do jenë gjithë sy e vesh nga arritjet dhe nga politika, e cila mbush dhe e sakaton jetën tonë. Kryeministri është detyruar thjesht ta theksojë këtë, kuptohet duke ua lënë barrën vartësve. A mund ta mbushim jetën duke i dalë ndesh kësaj zbrazëtie? Ka një lloj perceptimi në shoqëritë moderne se zbrazëtia e individit lidhet edhe me ideologjitë politike, kur e kupton qartë se angazhimi yt ose shpresa në njërin prej tyre syresh del fiasko (historia e jonë e përcjell nga zhgënjimi i shumë personaliteteve pas tre regjimeve ekonomiko-shoqërore). Në Shqipëri, zbrazëtinë e vërtetë e kupton pas akumulimit të një përvoje dhe dëshirën për ta adresuar, por të cilës i mbyllen dyert nga njerëz pa identitet që Qeverisjet Rama i kanë prodhuar pa fund duke nënkuptuar se i gjithë kontributi i aksh njeriu ka qenë një kotësi. Dhe, kotësitë që mbeten të ngulitura në nënvetëdijen e shqiptarit janë të shumta. Kuptohet kur e gjykon nga njerëzit dhe rrethanat që të kanë penguar.
