Last Updated on 05/11/2026 by Monika
Mundësia e largimit të Marco Rubio nga administrata e Donald Trump është në qendër të spekulimeve të forta, ndërsa vlerësimet po shtohen se Sekretari Amerikan i Shtetit po përgatit kandidaturën e tij për presidencën e SHBA-së në vitin 2028.
Sipas britanikes “The Independent”, Rubio mund të largohet nga detyrat qeveritare dhe ky skenar është përforcuar pas rezultatit të dobët elektoral të republikanëve, të cilët, humbën kontrollin si të Dhomës së Përfaqësuesve, ashtu edhe të Senatit.
Sipas burimeve të gazetës britanike, Rubio konsiderohet një nga kandidatët më të fortë të mundshëm për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, madje duke u renditur përpara zëvendëspresidentit JD Vance. Një nga arsyet kryesore që mund ta shtyjnë Rubion drejt largimit është lufta me Iranin. Sipas burimeve të gazetës, sekretari amerikan i Shtetit duhet të distancohet politikisht nga konflikti dhe të shmangë përgjegjësinë për pasojat e tij.
Ndërkohë, JD Vance ka fajësuar luftën me Iranin për humbjen e republikanëve në zgjedhjet afatmesme, duke theksuar se çdo analizë e rezultatit duhet të nisë nga ky konflikt. Sipas raportimit, Rubio mund të jetë njëri prej katër ose pesë zyrtarëve të lartë që po shqyrtojnë largimin nga administrata Trump pas rezultatit të pafavorshëm elektoral.
Në mesin e personave që mund të përballen me presion për përgjegjësinë politike të luftës me Iranin përmenden edhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles.
Pavarësisht spekulimeve, vetë Rubio ka mohuar se ka plane konkrete për të kandiduar për president. Në shtator, ai deklaroi para gazetarëve se nuk kishte asnjë plan në atë moment për të garuar për Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se ishte plotësisht i përqendruar në detyrat e tij qeveritare.
Ai ka lënë gjithashtu të kuptohet se mund të tërhiqej nga gara presidenciale nëse JD Vance vendos të kandidojë. Publikimi i raportimit ka shkaktuar reagime të forta nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, të cilët kanë mohuar kategorikisht mundësinë e largimit të Rubios.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, sulmoi gazetën “The Independent”, duke e akuzuar për publikimin e pretendimeve të pabazuara dhe teorive konspirative për presidentin Trump dhe administratën e tij. Edhe Departamenti i Shtetit reagoi në të njëjtën linjë. Në një deklaratë të atribuar zëvendëssekretarit të Shtetit, Dylan Johnson, raportimi u cilësua si lajm i rremë dhe i pabazuar, i mbështetur në burime anonime të sajuara.
Për momentin, nuk ka një konfirmim zyrtar për largimin e Marco Rubios. Megjithatë, zhvillimet politike në Uashington dhe përgatitjet për garën presidenciale të vitit 2028 mund të përcaktojnë të ardhmen e tij në administratën Trump./MXH
