Një brez i ri nacionalistësh etnikë serbë po përgatitet për një luftë në Bosnjë, zbulon “The Telegraph”. Qindra militantë kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar përkrah trupave ruse me besimin se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë duke i ndihmuar të rimarrin territoret e humbura serbe, siç është Kosova.
Nacionalistët, përfshirë veteranët nga Lufta e Bosnjës, po përdorin mediat sociale për të inkurajuar të rinjtë serbë që t’u bashkohen atyre në Rusi. Disa po ofrojnë 23 000 paundë që ata të regjistrohen dhe të luftojnë në Ukrainë.
Ekziston frika se sapo të kthehen në shtëpi në Bosnjë, ata do të nxisin një konflikt paramilitar, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Bosnjës.
Dario Ristic ishte një rast i tillë. Nacionalisti serb, duke u lëkundur ngathët mbi një këmbe me proteze dhe duke i qëndruar shtetësisë së tij të sapo fituar, u kthye në Bosnjë. Ai ishte plagosur teksa luftonte në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si “Arinjtë” nga Permi.
Kur ishte në Ukrainë, Ristic njihej me nofkën ironike të luftës “I shpejti” për kryerjen e sulmeve me snajperë dhe dronë në qytete si Avdiivka. Ai i përsosi aftësitë e tij në mediat sociale në faqe të tilla si TikTok dhe rrjetin rus “Vkontakte”, duke siguruar mbështetje nga të rinjtë serbë të pakënaqur politikisht në vendlindje duke u dhënë shkëlqim betejave në vijën e frontit dhe duke përhapur mesazhe nacionaliste.
Madje, njësia e tij ruse i dërgoi një kartolinë ditëlindjeje Ratko Mlladiçit, kriminelit të luftës i cili po merr kujdes paliativ në Hagë, ku u dënua me burgim të përjetshëm për mizori të kryera kundër myslimanëve boshnjakë.
Në një video të postuar në Telegram, Ristic pozonte pranë një bashkëkombësi serb i cili informoi audiencën e tij në vendlindje: “Sapo të mbarojmë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për të rifituar faltoret tona dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – fitores!”
Me t’u kthyer në vendlindje, Ristic u arrestua në aeroportin e Sarajevës për bashkim me një njësi paraushtarake të huaj, por që atëherë është liruar nga burgu dhe është vendosur në arrest shtëpiak në pritje të përfundimit të gjyqit të tij.
Kur “The Telegraph” kontaktoi Ristic në shtëpinë e tij në Modrica, ai tha nga pragu i derës së tij: “Do të doja të flisja me ju. Por ligji më ndalon të flas me ju, por ndoshta në të ardhmen.”
Edhe tani, larg frontit, ai ende konsiderohet një rrezik i madh rekrutimi me më shumë se 10 000 ndjekësit e tij në internet.
Dhe atij i bashkohen në internet nacionalistë të tjerë serbë që po përpiqen të përhapin mesazhet e tyre.
Është kryesisht një grup veteranësh të ashpër që luftuan në Luftën e Bosnjës që vazhdojnë të ngulin ideologji përçarëse tek të rinjtë. m.p.
