Zyrtari i lartë i inteligjencës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Tahnoon bin Zayed al Nahyan, i njohur si “sheiku spiun”, është bërë aksioneri kryesor në kompaninë holding për bankën kripto që po planifikon të hapë familja Trump.
Sipas një raportimi nga The Wall Street Journal, entiteti i kontrolluar nga Tahnoon zotëron 49% të aksioneve në WLTC Holdings, ndërsa një kompani e lidhur me familjen Trump mban 38%. Kjo lëvizje vjen pas një investimi të mëparshëm prej 500 milionë dollarësh që sheiku bëri në platformën World Liberty Financial në janar të vitit 2025, transaksion nga i cili 263 milionë dollarë kaluan drejtpërdrejt te bizneset e Presidentit Donald Trump.
Përfshirja e Sheikh Tahnoon ka nxitur shqetësime të mëdha për konflikt interesi dhe ndikim të huaj në Uashington, pasi ai shërben si këshilltar për sigurinë kombëtare i Emirateve dhe drejton kompaninë shtetërore të inteligjencës artificiale, G42.
Së fundmi, administrata Trump miratoi shitjen e çipave të avancuar amerikanë të AI-së për këtë kompani dhe zbuti kufizimet e blerjes, çka përkon me një periudhë ku bizneset e familjes presidenciale kanë arkëtuar dhjetëra miliona dollarë nga licencat dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, projekti bankar ka marrë një miratim paraprak me kusht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Bankare në SHBA për të vepruar si një bankë besimi e licencuar nga qeveria federale, me qëllim emetimin dhe mbrojtjen e monedhës digjitale USD1.
Përfaqësuesit e kompanisë World Liberty janë mbrojtur duke deklaruar se firma është një entitet privat teknologjik pa lidhje me qeverinë apo politika të veçanta, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë çdo pretendim për konflikt interesi, duke theksuar se Presidenti vepron vetëm në interes të publikut amerikan./mxh
