Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili është pjesë e delegacionit të kryetarit Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka publikuar pamje nga Konventa e parë Kombëtare Afatmesme e Partisë Republikane në Dallas të Teksasit.
Këlliçi ka ndarë video nga atmosfera brenda “American Airlines Center”, duke e shoqëruar reagimin e tij me diçiturën “THJESHT FANTASTIKE!”.
Vizita e kreut të PD-së Sali Berisha në SHBA dhe delegacionit opozitar që e ka shoqëruar, vjen në kuadrin e pjesëmarrjes së Berishës në këtë ngjarje historike konservatore, si dhe pas 14 vitesh mungesë të kryedemokratit në SHBA.
Kjo vizitë e Berishës është shoqëruar nga takime me diasporën shqiptaro-amerikane, si dhe takime me kongresmenë dhe senatorë amerikanë.
Ndërkaq në fjalimin e tij kryesor gjatë konventës, Presidenti amerikan Donald Trump preku disa nga temat më të nxehta politike dhe ekonomike të momentit. Ai deklaroi se lufta me Iranin do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve afatmesme të nëntorit dhe se çmimet e naftës do të vijnë në rënie vetëm pas kësaj periudhe, pavarësisht kostove të përkohshme që po ndiejnë qytetarët.
Gjithashtu Trump bëri bujë me premtimin se çdo qytetar i rritur amerikan do të përfitojë 5,000 dollarë nëse republikanët fitojnë të dy dhomat e Kongresit, ndërsa u kërkoi mbështetësve të tij të mobilizohen fuqishëm sikur emri i tij të ishte sërish në fletëvotim./k.m
