Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama u ndal gjerësisht në çështjen e integrimit europian të vendit gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Elbasan.
Në fjalën e tij para të pranishmëve nga i gjithë qarku, Rama deklaroi se shqiptarët e kanë këtë çështje në qendër të vëmendjes sepse duan që të realizohet ky synim për të cilin kanë mbështetur PS-në përmes votës.
Sipas Ramës, për të bërë realitet pasaportën europiane nevojitet edhe një mandat i fortë.
Kreu i qeverisë hodhi edhe akuza ndaj opozitës se do të bllokonte negociatat duke mos votuar përputhshmërinë ligjore, në rast se mazhoranca do të kishte siguruar më pak mandate në Kuvend.
“Njerëzit e kanë në qendër të vëmendjes çështjen e integrimit europian sepse duan që ne ta realizojmë atë për të cilën na dhanë gjithë atë mbështetje. Ta bëjmë realitet pasaportën e Bashkimit Europian dhe që kjo të ndodhë na duhet një mandat i fortë. Kur e thoja këtë më thonin se doja të bëhesha si Putini. Por ja ku jemi sot, kur në fund të jaanarit kemi kaluar 27 ligje të paketës vetëm për negociatat. I kemi në tavolinë të gjitha detyrat. Të gjitha janë për të përputhur legjislacionet me ato të BE-së. Një pjesë ishin me 84 vota. Imagjinoni të kishin 75 mandate, se ku do ishim sot. Do na ishin bllokuar negociata”,-deklaroi Rama./kb
