Last Updated on 24/11/2026 by EL
Platforma e transmetimit të muzikës Tidal ka njoftuar se do të ndalojë dhe heqë nga katalogu i saj të gjitha këngët e krijuara tërësisht nga inteligjenca artificiale. Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 9 dhjetor dhe synon të mbrojë artistët e vërtetë dhe të garantojë konkurrencë më të drejtë në industrinë muzikore.
Kompania, e cila është pjesërisht në pronësi të reperit Jay-Z, argumenton se përhapja e shpejtë e teknologjisë së inteligjencës artificiale dhe mjeteve që krijojnë muzikë përmes komandave tekstuale po ndryshon ndjeshëm mënyrën e prodhimit dhe shpërndarjes së muzikës.
Në një deklaratë në rrjetin social X, Robert Anderson, drejtues i Tidal pranë kompanisë mëmë Block, bëri të ditur se platforma kishte ndërmarrë më parë masa për identifikimin dhe heqjen e mundësisë së fitimit të të ardhurave nga këngët e krijuara tërësisht me inteligjencë artificiale.
Megjithatë, sipas tij, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme. Rreth 43% e këngëve të shpërndara në platformë gjatë 90 ditëve të fundit janë identifikuar si të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Anderson bëri të ditur se 96% e këtyre këngëve nuk marrin asnjë dëgjim, ndërsa njoftoi se vendimi i ri do t’i lejojë platformës të heqë rreth 29 milionë këngë nga katalogu i saj.
Tidal raportohet se aktualisht refuzon çdo ditë nga 80 mijë deri në 85 mijë këngë përpara se ato të publikohen në platformë. Tashmë vëmendja është përqendruar te platformat e tjera të mëdha të transmetimit muzikor, si Apple Music, Amazon Music dhe Spotify, për të parë nëse do të ndjekin të njëjtën rrugë.
