Last Updated on 24/04/2026 by Kesjana
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në kryeqytet kanë goditur një rast të tentativës për shitje të armëve të zjarrit, duke vënë në pranga një 48-vjeçar. Operacioni i koduar “Barriera” çoi në sekuestrimin e një arsenali të vogël armësh, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin në zona të banuara të Tiranës.
Arrestimi në flagrancë në Tufinë
Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që posedonte armë zjarri me qëllim shitjen, forcat e rendit organizuan pritën në rrugën “Myslym Keta”, në zonën e Tufinës. Gjatë ndërhyrjes, u ndalua automjeti që drejtohej nga shtetasi L. M., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi: 2 armë zjarri pistoleta; 1 armë taktike luftarake; 3 krehra me municion luftarak.
Synimi i shitjes në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se 48-vjeçari i transportonte armët me qëllim shitjen e tyre te persona të tjerë në zonat e “Freskut” dhe “Tufinës”. Përveç armatimit, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe automjetin e autorit si dhe aparatin e tij celular, i cili pritet t’i nënshtrohet ekspertizës për të zbuluar bashkëpunëtorët e mundshëm.
“Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të armëve,” bëri me dije Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit./kb
