Last Updated on 29/06/2026 by Kesjana
Përgatiti: Leonard Veizi
Më 29 qershor 1444 u zhvillua Beteja e Torviollit, e njohur edhe si Beteja e Dibrës së Poshtme, përballja e parë e madhe ushtarake në të cilën Gjergj Kastrioti-Skënderbeu shënoi një fitore vendimtare ndaj Perandorisë Osmane.
Vetëm pak muaj më parë, në mars të po atij viti, Skënderbeu kishte bashkuar princat arbërorë në Besëlidhjen e Lezhës, duke krijuar një front të përbashkët kundër pushtimit osman. Ky bashkim u pa si një kërcënim serioz nga Sulltan Murati II, i cili reagoi menjëherë duke dërguar drejt Arbërisë një ushtri prej rreth 25 mijë ushtarësh, të komanduar nga një prej gjeneralëve më të aftë të tij, Ali Pasha i Shkupit.
I njohur mirë me strategjitë ushtarake osmane, pasi kishte shërbyer për vite me radhë si komandant në ushtrinë e sulltanit, Skënderbeu kishte parashikuar lëvizjet e kundërshtarit. Me një forcë prej rreth 15 mijë luftëtarësh, ai zgjodhi me kujdes fushën e Torviollit për përballjen vendimtare.
Dy ushtritë ngritën kampet përballë njëra-tjetrës. Në agimin e 29 qershorit, Ali Pasha, duke parë forcat shqiptare të vendosura në rrëzë të një kodre, besoi se përballë kishte një kundërshtar të lehtë për t’u mposhtur dhe urdhëroi sulmin frontal me të gjithë ushtrinë. Pikërisht këtë priste Skënderbeu. Një pjesë e trupave të tij ishte fshehur në pyjet përreth, pas krahëve të ushtrisë osmane. Në momentin vendimtar ai dha sinjalin për sulm dhe luftëtarët shqiptarë goditën befas nga prapavija, ndërsa forcat kryesore përballuan sulmin nga fronti.
Manovra rezultoi shkatërruese për osmanët. Sipas kronikave të kohës, rreth 22 mijë ushtarë osmanë mbetën të vrarë ose jashtë luftimit, ndërsa Ali Pasha arriti të shpëtonte me shumë vështirësi. Nga ana tjetër, humbjet shqiptare ishin shumë më të vogla, vetëm disa qindra luftëtarë.
Fitorja e Torviollit pati jehonë të jashtëzakonshme. Ajo forcoi Besëlidhjen e Lezhës dhe besimin e princave shqiptarë te bashkimi, ngriti moralin e popujve të krishterë në Evropë dhe rrëzoi mitin e pathyeshmërisë së ushtrive osmane. Kjo u konsiderua fitorja më e madhe e krishterimit ndaj Perandorisë Osmane në atë periudhë, duke e shndërruar Skënderbeun në një nga figurat më të shquara ushtarake të shekullit XV. Njëkohësisht, beteja shënoi fillimin e një rezistence të pandërprerë 25-vjeçare, gjatë së cilës Gjergj Kastrioti-Skënderbeu do të mbetej simboli i luftës për lirinë e Arbërisë.
