Last Updated on 27/10/2026 by Anisa
Një tornado e fuqishme ka goditur mbrëmjen e së hënës zonën Kepez të Antalyas, në Turqi, duke shkaktuar vdekjen e katër punëtorëve të ndërtimit dhe plagosjen e një tjetri. Sipas mediave lokale, tornadoja goditi një kantier ndërtimi, ku pesë punëtorë ndodheshin brenda dy kontejnerëve, të cilët u shkatërruan nga forca e erës.
Guvernatori i Antalyas, Hulusi Sahin, konfirmoi bilancin tragjik, duke bërë të ditur se dy prej punëtorëve humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. “Tornadoja e fortë që goditi zonën shkaktoi shembjen e dy kontejnerëve në një kantier ndërtimi. Pesë persona ndodheshin brenda tyre. Dy punëtorë vdiqën në vend, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital nga plagët e marra. Personi i pestë është plagosur, por gjendja e tij mbetet e qëndrueshme”, deklaroi guvernatori.
Forca e tornados përmbysi gjithashtu një vinç në kantierin e ndërtimit, por fatmirësisht nuk u raportuan persona të tjerë të lënduar. Guvernatori e cilësoi fenomenin si tepër të pazakontë, duke theksuar se nuk kishte pasur raportime për stuhi apo tornado në pjesë të tjera të qytetit. “Po përballemi me një fenomen natyror shumë të pazakontë, pasi nuk ka pasur raportime për stuhi apo tornado askund tjetër në qytet”, u shpreh Sahin, duke shtuar se ndërtesat përreth kantierit nuk kanë pësuar dëmtime.
Ai shprehu gjithashtu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe i uroi shërim të shpejtë punëtorit të plagosur. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë në Turqi kishte lëshuar më herët një paralajmërim të verdhë për reshje të dendura shiu në rajonin e Antalyas./ad
