Një tornado e fuqishme që goditi pasditen e të hënës jugperëndimin e Francës, shkatërroi fshatin Pomas në rajonin e Aude-s, duke lënë 39 persona të plagosur, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën.
Erërat e fuqishme, që arritën deri në 117 kilometra në orë, shkatërruan ndërtesa, automjete e shkulën pemë me rrënjë.
Deri më tani, rreth 300 shtëpi pësuan dëme, disa prej të cilave të konsiderueshme. Më shumë se 120 punonjës të emergjencave dhe forca të shumta zjarrfikëse punuan gjatë gjithë natës për evakuimin e banorëve dhe sigurimin e zonës. Stuhia ka lënë pa energji elektrike mijëra familje në të gjithë rajonin, që u rikthye këtë paradite në pjesën më të madhe. Erërat e fuqishme shkaktuan vonesa edhe në fluturimet e avionëve.
Ekspertët thonë se deri në 50 tornado godasin Francën çdo vit, por kjo e të hënës kishte përmasa krejt të pazakonta, çka dëshmon edhe një herë ashpërsimin e fenomeneve klimatike për shkak të ngrohjes globale./mxh
