Last Updated on 25/12/2025 by EL
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në aksin rrugor Levan-Tepelenë.
Ngjarja fatale ka ndodhur në vendin e njohur si “Kthesa e Cakranit”. Burime paraprake bëjnë me dije për RTSH-24 se një i ri ka humbur jetën si pasojë e përplasjes, ndërkohë që identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur për publikun.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje.
“Rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O. M, rreth 16 vjeç. Si pasojë e përplasjes shtetasi O. M, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.”, njofton policia.
Paraprakisht raportohet se policia po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit dhe shkaqeve që çuan në këtë humbje jete. Për shkak të natës dhe pozicionit të aksidentit, u bëhet thirrje drejtuesve të tjerë të mjeteve që qarkullojnë në këtë aks të tregojnë kujdes të shtuar./e.t
