Last Updated on 13/06/2026 by EL
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku tre alpinistë janë gjetur të pajetë në faqen veriore të malit Gran Paradiso, në Luginën e Aostës.
Sipas mediave italiane, viktimat nuk u kthyen sipas planit në Strehën Chabod, duke ngritur shqetësime te autoritetet. Alarmi u dha pak pas orës 19:30 të së premtes, më 12 qershor, çka vuri në lëvizje menjëherë ekipet e shpëtimit.
Në operacionin e kërkimit u angazhuan Shërbimi i Shpëtimit Alpin i Luginës së Aostës (CNSAS) dhe një helikopter i Mbrojtjes Civile. Gjatë kontrollit ajror të itinerarit, ekipet gjetën trupat e tre alpinistëve në një lartësi rreth 3,600 metra mbi nivelin e detit, në faqen veriore të malit.
Operacioni për gjetjen e trupave nisi menjëherë dhe vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes. Autoritetet konfirmuan se viktimat janë shtetas italianë, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, përfshirë mundësinë e një rrëzimi apo ndikimin e kushteve të vështira atmosferike, borës dhe akullit./ET
