Një operacion shpëtimi në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut ka përfunduar me shpëtimin e rreth 50 emigrantëve, ndërsa shtatë persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të kaluar detin, raportojnë mediat italiane.
Anija e kërkim-shpëtimit “Life Support”, e operuar nga organizata humanitare italiane Emergency, ka shpëtuar 50 persona, mes tyre 45 burra dhe pesë gra, bëri të ditur agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Sipas organizatës, shtatë emigrantë kanë humbur jetën gjatë udhëtimit, ndërsa dy prej personave të shpëtuar ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e mbytjes.
Emigrantët, të cilët vinin nga Somalia dhe Egjipti, ishin nisur të dielën nga Zuwarah, në Libi, me synim kalimin drejt Evropës.
Ngjarja rikthen në vëmendje rreziqet me të cilat përballen migrantët gjatë udhëtimeve të rrezikshme me varka të pasigurta në Mesdhe./mxh