Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një incidenti në një tren të shpejtësisë në një park argëtimi në shtetin e Xhorxhias, në SHBA.
Departamenti i Policisë së Qarkut Cobb bëri të ditur se po hetonte vdekjen e personit në parkun Six Flags Over Georgia, rreth 24 kilometra larg Atlantës, sipas mediave vendase.
Policia nuk ka bërë të ditur se për cilën atraksion bëhej fjalë, megjithatë, pamjet ajrore të filmuara nga helikopterët e mediave treguan trenin e shpejtësisë Goliath të ndalur në mes të pistës, ndërsa punonjësit po ndihmonin pasagjerët të zbrisnin.
Parku Six Flags Over Georgia deklaroi se ishte “thellësisht i trishtuar nga incidenti që përfshiu një vizitor në parkun tonë sot”. Në deklaratë, përfaqësuesit e parkut shprehën ngushëllimet e tyre për familjen, miqtë dhe të afërmit e viktimës.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur se si humbi jetën personi.
Dëshmitarë okularë i thanë mediave lokale se kishin parë një burrë të hidhej jashtë trenit gjatë lëvizjes, por BBC-ja nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë dëshmi.
Një zëdhënës i parkut deklaroi se ekipi i tij dhe autoritetet lokale reaguan menjëherë dhe se po bashkëpunonin në hetimin e incidentit.
Kryetari i bashkisë së Mabletonit, Michael Owens, tha se drejtori i sigurisë publike të qytetit po bashkërendonte veprimet me policinë lokale dhe shërbimin e sigurisë së parkut.
Atraksioni Goliath u hap në vitin 2006. Sipas faqes zyrtare të parkut, ai ka një lartësi prej rreth 60 metrash, një rënie prej 52 metrash, një spirale prej 540 gradësh dhe arrin shpejtësinë deri në 112 kilometra në orë. Në shkallën e atraksioneve emocionuese, Six Flags e vlerëson atë me nivelin katër nga pesë.
Six Flags është operatori më i madh i parqeve të argëtimit në Amerikën e Veriut, me 20 parqe argëtimi, 14 parqe ujore dhe nëntë resorte në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë.
Incidenti ndodh vetëm disa javë pasi një nga parqet e kompanisë në Kaliforninë Jugore njoftoi se do të mbyllte atraksionin e njohur me emrin X2, pasi më shumë se 100 persona pretenduan se kishin pësuar dëmtime në tru si pasojë e përdorimit të tij.
Six Flags deklaroi se atraksioni i kishte kaluar një sërë testesh sigurie, por se kishte vendosur ta nxirrte nga përdorimi, pasi kjo ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”./ad
