Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur në lidhje me takimin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi ditë më parë, ku thuhej se ishin studentë.
Në një intervistë për “A2”, Gonxhja ka treguar detaje, duke shprehur se ata që ishin pjesë e takimit janë anëtarë të Këshillit Rinor, të cilët zgjidhet me votim të lirë, pa asnjë lloj interference nga ana e qeverisë dhe janë të gjithë njerëz të cilët vijnë nga eksperienca të ndryshme.
Ndërkohë, Ministri ka thënë se në këtë takim kanë qenë djem e vajza, që jo domosdoshmërisht kanë qenë pjesë e protestës, por ata kanë shprehur të gjitha kërkesat e shumë prej protestusve.
“Ne kemi takuar përfaqësues të vërtetë shoqatash, grupimesh, të cilët punojnë dhe janë pjesë e Këshillit Rinor. Këshilli Rinor zgjidhet me votim të lirë, pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë lloj interference nga ana e qeverisë dhe janë të gjithë njerëz të cilët vijnë nga eksperienca të ndryshme, që mund të jenë me bindje të ndryshme, që mund të jenë pa bindje politike fare. Aty kishte një vajzë e cila thoshte se kishte dalë 140 ditë në protestë; Aty kishte vajza dhe djem të cilët ndoshta nuk ishin fizikisht në protestë, por të cilët ishin në sintoni me kërkesat e shumë prej protestuesve. Njëri thoshte që unë nuk jam te pjesa e momentit të gurëve dhe dhunës, sepse unë aty ndjehem në rrezik. Kanë folur për Paktin e Universiteteve, kanë folur për vitin 2018, për gjithë listën e premtimeve dhe zotimeve”, deklaroi ai./ad
