Mbijetesa e pamundur e ekipit uruguaian të regbisë-
-|Katastrofa ajrore e 13 tetorit 1972, 16 të mbijetuarit e rrëzimit në Ande shpëtohen pas 73 ditësh, më 23 dhjetor 1972-
Nga Leonard Veizi
Ka momente në histori ku hija e tragjedisë bie kaq rëndë sa trondit vetë themelet e besimit tonë te fuqia njerëzore. Një moment i tillë është gdhendur thellë në kujtesën kolektive botërore: Tragjedia e Andeve….
…Në 13 tetor 1972, në atë lartësi ku qytetërimi është vetëm një jehonë e largët, një udhëtim i mbushur me gaz dhe optimizëm rinor u shndërrua papritur në betejën më të egër të jetës. Një avion i Forcës Ajrore të Uruguait, me numër fluturimi 571, mbante në bord ekipin e regbisë “Old Christians Club” nga Montevideo, djem të rinj me zemra plot shkëlqim dhe forcë fizike, drejt një ndeshjeje në Kili. Por Andet, ato male madhështore dhe të pamëshirshme, kishin një fat tjetër për ta.
Ajo që pasoi nuk ishte thjesht një histori e një rrëzimi ajror, por një odise e pabesueshme dhe e tmerrshme e mbijetesës.

Tragjedia
Në çastin kur avioni u përplas dhunshëm në kreshtat e akullta, në lartësinë mbi 4.000 metra, mes 45 personave në bord, kohëzgjatja ndaloi. Ajo që ndoqi nuk ishte thjesht një histori aksidenti, por një odise e tmerrshme që do të provonte limitet e shpirtit njerëzor. Të mbijetuarit u gjendën të braktisur në një peizazh vdekjeprurës, ku të ftohtit, uria dhe vetmia absolute u bënë armiqtë e tyre të përditshëm. Për 72 ditë, bota besoi se ata kishin vdekur. Por aty, mes asaj zbrazëtie të akullt, ata zbuluan një forcë që kurrë nuk e dinin se e kishin, duke marrë vendime që do të trondisnin thelbin e moralit njerëzor, të diktuara vetëm nga instinkti i egër i mbijetesës. Kjo është historia e tragjedisë së Andeve, një testament rrëqethës i vullnetit për të jetuar.
Mbijetesa
Të mbijetuarit ndodheshin në zemër të Andeve, në kufirin midis Kilit dhe Argjentinës, pa ushqim të mjaftueshëm, pa ndihma dhe pa pajisje dimërore. Për ditë të tëra, ata përpiqeshin të mbroheshin nga acari, duke përdorur mbulesa nga copat e avionit.
Kërkimet zyrtare zgjatën 10 ditë, por më pas u ndërprenë, pasi autoritetet menduan se askush nuk kishte mundur të mbijetonte në ato kushte ekstreme. Për pasojë, të mbijetuarit e kuptuan se ishin plotësisht të braktisur.
Pas javësh izolimi, me rezervat ushqimore të shteruara dhe pa asnjë mundësi për ndihmë, grupi u përball me një vendim ekstrem: për të mbijetuar, disa prej tyre u detyruan të ushqeheshin me trupat e të vdekurve, një akt i imponuar nga dëshpërimi dhe kushtet çnjerëzore të mbijetesës. Ky çast tragjik u bë një nga shembujt më të njohur në histori të instinktit të mbijetesës përballë vdekjes.
Shpëtimi
Pas 72 ditësh të tmerrshme në male, dy prej të mbijetuarve, Fernando Parrado dhe Roberto Canessa, ndërmorën një udhëtim 10-ditor në këmbë përmes Andeve, derisa arritën të kontaktonin një barinj kilian në luginën e San Fernandos. Ky takim i rastësishëm solli shpëtimin e 16 të mbijetuarve, të cilët u gjetën dhe u evakuuan më 23 dhjetor 1972.
Nga libri në film
Tragjedia e Andeve u bë një histori simbol e qëndresës njerëzore dhe e vendosmërisë për të jetuar. Ngjarja u studiuar gjerësisht nga psikologë, mjekë dhe historianë si një shembull unik i mbijetesës ekstreme.
Në vitin 1974, kjo ngjarje u përjetësua në librin “Alive” apo siç vjen në shqip “Të gjallë” të shkrimtarit Pirs Pol Rid (Piers Paul Read). Libri u botua dy vjet pasi të mbijetuarit u shpëtuan. Autori intervistoi shumë nga të mbijetuarit, si dhe anëtarët e familjeve të pasagjerëve, pasi ai donte ta shkruante historinë ashtu siç kishte ndodhur pa zbukurime.
Keith Man, shkrimtar dhe kritik, në rubrikën “Book Review” të “The New York Times” i dha librit një vlerësim “entuziast”, duke deklaruar se “stili i Read është i egër: joletrar, i pazbukuruar si një dosje prokurori”.
Libri frymëzoi këngën “The Plot Sickens” në albumin “Every Trick in the Book” nga grupi amerikan i metalcore “Ice Nine Kills”.
Më pas ngjarja u pasqyrua edhe në disa filma dokumentarë dhe artistikë, ndër ta filmi i vitit 1993 “Alive” me regji të Frank Marshall, ku në rolet kryesore interprtojne: Ithan Hok, Vinçent Spano, Xhoxh Hamilton.
