Paris Jackson, vajza e legjendës së muzikës pop Michael Jackson, ka nisur një betejë ligjore për trashëgiminë e të atit, duke kërkuar që 600 milionë dollarë të kalojnë në fondin familjar, nga i cili përfitojnë ajo dhe dy vëllezërit e saj. Në kërkesën e depozituar në gjykatë, ajo akuzon administratorin e pasurisë së këngëtarit, John Branca, se po pengon fëmijët të kenë akses në paratë që u takojnë.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, kërkesa është depozituar më 29 tetor në Gjykatën e Lartë të Los Angeles-it. Paris kërkon që shuma prej 600 milionë dollarësh të transferohet në fondin Michael Jackson Family Trust, i krijuar për të dhe dy vëllezërit e saj, Prince, 29 vjeç, dhe Bigi, 24 vjeç.
Ajo pretendon se, megjithëse pasuria e Michael Jackson ka gjeneruar miliarda dollarë të ardhura dhe ka grumbulluar qindra miliona dollarë në para të gatshme, fondi familjar ende nuk është financuar siç duhet.
Paris akuzon John Brancën se ushtron kontroll të tepruar mbi financat e tre fëmijëve të këngëtarit, duke vendosur vetë se kur dhe nëse ata mund të përfitojnë nga trashëgimia. Branca është avokat dhe president i kompanisë The Michael Jackson Company. Ai u punësua fillimisht nga këngëtari në vitin 1985, u largua në vitin 2006 pas mosmarrëveshjeve financiare dhe u rikthye në vitin 2009, vetëm tetë ditë para vdekjes së artistit.
Vajza e këngëtarit pretendon se përplasjet me administratorin nisën vitin e kaluar, kur ajo vuri në pikëpyetje mënyrën e menaxhimit të pasurisë dhe disa pagesa që, sipas saj, ishin bërë për bashkëpunëtorët e Brancës jashtë detyrimeve kontraktuale. Paris thotë se pas kundërshtimeve të saj u përball me veprime ligjore dhe sulme publike, ndërsa pagesat që merrnin ajo dhe vëllezërit u reduktuan me miliona dollarë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pasurisë së këngëtarit kanë kundërshtuar pretendimet e Paris, duke argumentuar se shpërndarja e plotë e parave nuk mund të bëhet pa u zgjidhur disa çështje ligjore dhe financiare. Një prej tyre lidhet me një mosmarrëveshje me autoritetet tatimore amerikane, të cilat kishin kërkuar rreth 700 milionë dollarë taksa dhe penalitete.
Sipas administratës, më shumë se 200 milionë dollarë janë shpërndarë ose janë përdorur në të mirë të tre fëmijëve. Ata këmbëngulin se fondet do të kalojnë te përfituesit pasi të zgjidhen pengesat ligjore.
Ndërkohë, pasuria e Michael Jackson ka vijuar të rritet edhe pas vdekjes së tij në vitin 2009. Të ardhurat nga muzika, të drejtat e autorit dhe projektet që mbajnë emrin e tij kanë gjeneruar miliarda dollarë.
Një nga marrëveshjet më të rëndësishme u realizua në vitin 2024, kur kompania Sony bleu një pjesë të të drejtave mbi katalogun muzikor të këngëtarit për rreth 600 milionë dollarë.
Tashmë, gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën e Paris Jackson dhe të vendosë nëse shuma prej 600 milionë dollarësh mund të transferohet në fondin familjar. Deri më tani, kjo mbetet një kërkesë e vajzës së këngëtarit dhe jo një vendim i miratuar nga gjykata./ad
