Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se mes Rusisë dhe Ukrainës është arritur marrëveshja e armëpushimit tre-ditor, me rastin e “Ditës së Fitores” në Rusi.
Përmes një postimi në platformën truth social, Trump thekson se do pezullohen të gjitha aktivitetet luftarake, si dhe do të bëhet shkëmbimi i 1 mijë të burgosurve nga secili vend.
“Jam i kënaqur të njoftoj se do të ketë një ARMËPUSHIM TRE DITOR (9, 10 dhe 11 maj) në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Festimet në Rusi janë për Ditën e Fitores, por gjithashtu edhe në Ukrainë, sepse ata ishin një pjesë dhe faktor i rëndësishëm i Luftës së Dytë Botërore.
Ky armëpushim do të përfshijë pezullimin e të gjitha aktiviteteve luftarake, si dhe një shkëmbim të burgosurish prej 1,000 personash nga secili vend. Kjo kërkesë është bërë drejtpërdrejt nga unë dhe vlerësoj shumë pranimin e saj nga Presidenti Vladimir Putin dhe Presidenti Volodymyr Zelenskyy.
Shpresojmë se ky është fillimi i fundit të një lufte shumë të gjatë, vdekjeprurëse dhe të vështirë. Bisedimet po vazhdojnë për përfundimin e këtij konflikti të madh, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe po i afrohemi gjithnjë e më shumë çdo ditë.
Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!
President DONALD J. TRUMP”, shkruan Trump në platformën truth social.
Kujtojmë se ishte Presidenti rus i cili njoftoi një armëpushim dy-ditor në konfliktin me Ukrainën, më 8-9 maj, me rastin e përvjetorit të disfatës së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
“Nëse Ukraina përpiqet të prishë festimet e Ditës së Fitores, do të ketë hakmarrje masive me një sulm me raketa në qendër të Kievit”, paralajmëroi gjithashtu Ministria Ruse e Mbrojtjes.
Nga ana e tij, Zelensky kishte propozuar një armëpushim nga 6 maji, në përgjigje të një propozimi rus për një armëpushim më 8-9 maj. Sipas tij, ky armëpushim që ai propozoi u shkel nga rusët.
Raportet për një urë komunikimi mes Brukselit dhe Moskës për herë të parë që nga nisja e konfliktit vijnë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë dhe negociatat e deritanishme janë ngrirë.
Uashingtoni, i cili ka bërë përpjekje të vazhdueshme si ndërmjetës për t’i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve, e ka hequr vëmendjen nga ky konflikt për t’u fokusuar në Lindjen e Mesme./mxh
