Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se do t’i pranonte rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, nëse ato zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të ndershme.
Megjithatë, deklarata e tij ka ngritur pikëpyetje nëse ai do ta pranonte rezultatin në rast se republikanët humbin.
“Do t’i pranoj, nëse janë zgjedhje të ndershme”, tha Trump, përpara se të nisej drejt Teksasit.
Ai iu përgjigj një gazetari, i cili e pyeti nëse do ta respektonte rezultatin, pavarësisht se kush fitonte.
Trump ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve ligjore në Alaskë, të cilat mund të vonojnë shpalljen përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve për Senatin në atë shtet, nëse humbet kandidati republikan që mban aktualisht këtë post.
Presidenti amerikan gjithashtu vazhdon të mos e pranojë humbjen ndaj demokratit, Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Ai ka përsëritur pretendimet se manipulimet e përhapura të votave i morën fitoren, por këto pretendime nuk janë mbështetur nga provat.
Trump la të kuptohet se do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me demokratët, nëse ata fitojnë shumicën në njërën ose në të dyja dhomat e Kongresit, në zgjedhjet e mesmandatit.
“Do të gjejmë një mënyrë”, tha ai.
“Unë kam një të drejtë të fortë vetoje. Shpresoj që kjo të mos ndodhë. Por, nëse ndodh, kjo u ka ndodhur edhe shumë presidentëve të tjerë. Ti ke të drejtën e vetos dhe në fund, gjen një mënyrë për të arritur marrëveshje”, shtoi Trump.
Presidenti amerikan mund të refuzojë miratimin e ligjeve të miratuara nga Kongresi.
Megjithatë, Kongresi mund ta rrëzojë vendimin e tij, nëse ligji mbështetet nga dy të tretat e anëtarëve si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Arritja e kësaj shumice është e vështirë.
Aktualisht, republikanët e Trump kanë shumicën si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Megjithatë, partia po përballet me pakënaqësi të votuesve për shkak të rritjes së kostos së jetesës, një nga çështjet kryesore të fushatës zgjedhore.
Kjo situatë ka dobësuar mbështetjen për republikanët dhe ka shtuar pritshmëritë për fitore të rëndësishme të demokratëve.
Nëse demokratët marrin shumicën në njërën nga dy dhomat e Kongresit, Trump do të përballet me më shumë pengesa politike gjatë gjysmës së dytë të mandatit të tij.
Një shumicë demokrate do t’i jepte kësaj partie, më shumë mundësi për të kontrolluar veprimtarinë e administratës së Trump, përfshirë zhvillimin e hetimeve parlamentare të drejtuara nga kryetarët e komisioneve.
Kushtetuta amerikane i jep gjithashtu Dhomës së Përfaqësuesve, të drejtën të nisë procedurat për shkarkimin e presidentit.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump u përball dy herë me procedura të tilla, por në të dyja rastet Senati vendosi të mos e shkarkonte./mxh
