Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas lajmit për ndërprerjen e emisionit të njohur The Late Show të drejtuar nga komediani Stephen Colbert në rrjetin CBS, duke e përshëndetur largimin e tij me komente të forta në rrjetin Truth Social.
Trump u shpreh se Colbert kishte qëndruar “shumë më gjatë sesa duhej” në ekran dhe e cilësoi atë si një figurë pa ndikim dhe pa talent, ndërsa shtoi se sipas tij programi kishte humbur prej kohësh audiencën.
“Falë Zotit, më në fund iku!”, ishte një nga deklaratat e tij më të forta, duke e quajtur mbylljen e emisionit një zhvillim pozitiv.
Nga ana tjetër, Stephen Colbert i dha lamtumirën shikuesve pas 11 sezonesh në krye të programit, në një episod final që përfshinte edhe një paraqitje surprizë nga Paul McCartney, i cili performoi shkurt në skenë.
Në fjalën e tij të fundit, Colbert falënderoi publikun për mbështetjen ndër vite dhe e përshkroi emisionin si një udhëtim të gjatë përmes lajmeve, politikës dhe humorit.
Sipas CBS, mbyllja e programit lidhet me riorganizim të brendshëm dhe kosto prodhimi, ndërsa rrjeti theksoi se vendimi nuk ka lidhje me presione politike.
Megjithatë, mbyllja e “The Late Show” ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në SHBA, duke qenë një nga formatet më të njohura të televizionit satirik në dekadën e fundit./A.D
