Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara ndodhen përballë një zgjedhjeje vendimtare lidhur me Iranin, duke theksuar se alternativat janë arritja e një marrëveshjeje diplomatike ose shkatërrimi i plotë ushtarak i vendit.
Në një intervistë për Fox News, Trump ka përsëritur se Uashingtoni duhet të vendosë nëse do të vijojë përpjekjet për një marrëveshje me Teheranin apo do të ndërmarrë veprime për t’i dhënë fund konfliktit përmes forcës ushtarake.
“Duhet të arrij një marrëveshje apo duhet t’i jap fund atyre? Kjo është e vetmja pyetje”, ka deklaruar presidenti amerikan.
Trump ka theksuar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll të plotë mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin ndërkombëtar të naftës.
“Ne marrim gjithçka, ata nuk marrin asgjë”, është shprehur ai, duke nënvizuar pretendimin e tij për epërsinë amerikane në përballjen me Iranin.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment të tensionuar për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa mundësia e një marrëveshjeje diplomatike mbetet përballë kërcënimeve për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak./mxh
