Presidenti Donald Trump ka kërcënuar të bllokojë hapjen e një ure që lidh SHBA-në dhe Kanadanë derisa Uashingtoni të “kompensohet plotësisht për gjithçka” që i ka dhënë fqinjit të tij verior.
Ura Ndërkombëtare Gordie Howe, që lidh provincën kanadeze të Ontarios me shtetin amerikan të Miçiganit, nuk do të hapet derisa Ottawa “t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara me drejtësinë dhe respektin që meritojmë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Sipas faqes së internetit të projektit, ura po financohet nga qeveria kanadeze, por do të jetë në pronësi publike si të Kanadasë ashtu edhe të Miçiganit. Nuk është e qartë se si Trump mund ta bllokojë hapjen e saj, por ai tha se negociatat do të fillojnë menjëherë, pa dhënë hollësi. Ura, e cila shtrihet përgjatë lumit Detroit, pritet të hapet për trafik në pritje të testeve dhe miratimeve zyrtare në fillim të vitit 2026. Ndërtimi filloi në vitin 2018, por projekti ka qenë një pikë mosmarrëveshjeje midis vendeve për më shumë se një dekadë. Vlerësohet të ketë kushtuar 6.4 miliardë dollarë kanadezë (3.4 miliardë paund), sipas Korporatës Kanadeze të Transmetimeve.
Në deklaratën në platformën e tij Truth Social, Trump tha se SHBA-të duhet të zotërojnë “të paktën gjysmën e këtij aseti”. Ai gjithashtu sugjeroi që Kanadaja zotëronte të dyja anët e urës, atë kanadeze dhe amerikane. Organizata që po zhvillon urën, Autoriteti i Urës Windsor-Detroit, është tërësisht në pronësi të qeverisë kanadeze, sipas faqes së internetit të projektit.
Trump shkroi: “Qeveria kanadeze pret që unë, si President i Shteteve të Bashkuara, t’i lejoj ata thjesht ‘të përfitojnë nga Amerika’. Nuk do të lejoj që kjo urë të hapet derisa Shtetet e Bashkuara të kompensohen plotësisht për gjithçka që u kemi dhënë”.
Familja Moroun, pronarët amerikanë të Urës fqinje Ambasador që lidh gjithashtu Detroitin me Kanadanë, i bënë thirrje Trump gjatë mandatit të tij të parë që të ndalonte ndërtimin e urës së re, duke argumentuar se kjo shkelte aftësinë e tyre ekskluzive për të mbledhur taksat.
Në përgjigje, Trump dhe kryeministri i atëhershëm Justin Trudeau lëshuan një deklaratë të përbashkët duke thënë se ura ishte një lidhje jetësore ekonomike midis vendeve.
Të hënën, Trump vuri në dukje mosmarrëveshjet e fundit tregtare midis dy vendeve, duke thënë se “Tarifat që Kanadaja na ngarkon për produktet tona të qumështit kanë qenë të papranueshme për shumë vite”./Kb
