Last Updated on 10/07/2025 by adminfjala
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi mbrëmjen e së mërkurës synimin për të vendosur një tarifë shtesë prej 50% mbi importet e bakrit, duke filluar nga data 1 gusht, me arsyetimin e mbrojtjes së sigurisë kombëtare të SHBA-së. Deri tani, bakri ishte përjashtuar nga tarifat doganore prej të paktën 10% që janë aplikuar që nga muaji prill.
“Bakri është materiali i dytë më i përdorur nga Departamenti i Mbrojtjes!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke argumentuar se vendi ka nevojë për këtë metal në ndërtimin e gjysmëpërçuesve, avionëve, municioneve dhe qendrave të të dhënave.
Ai theksoi synimin për të krijuar një industri të pavarur të bakrit në SHBA, duke kritikuar politikat e paraardhësit të tij demokrat Joe Biden si “budallallëqe”.
Më herët gjatë ditës, Trump njoftoi gjithashtu vendimin për vendosjen e tarifave prej 50% për importet nga Brazili, duke publikuar në Truth Social një letër që i kishte dërguar presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva.
Në letër, ai informonte se këto tarifa do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Në të njëjtën letër, Trump nuk ngurroi të shprehë mbështetjen e tij për ish-presidentin e ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, i cili aktualisht përballet me gjykim për një tentativë të dyshuar për grusht shteti.
Të hënën, Trump kishte kërcënuar shtetet anëtare të grupit BRICS, ku Brazili është një prej themeluesve, me tarifa shtesë prej 10%, nëse ato ndjekin politika që ai i konsideron “anti-amerikane”, pasi vendet e BRICS kritikuan politikat e tij tregtare.
Presidenti Lula, i cili këtë vit është mikpritës i samitit të BRICS, reagoi duke e cilësuar si një veprim “jo serioz” që një president amerikan të kërcënojë botën me tarifa përmes rrjeteve sociale.
“Nëse SHBA vendosin tarifa, edhe vendet e tjera kanë të drejtë të veprojnë njësoj”, deklaroi ai. Në të njëjtën kohë, ai refuzoi çdo “ndërhyrje” në punët e brendshme të Brazilit, pas komenteve të Trump në mbështetje të Bolsonaro-s./E.T