Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të marrë naftën në Iran dhe se mund të pushtojë Ishullin Kharg, qendrën e eksportit të naftës në vend.
“Ndoshta e marrim Ishullin Kharg, ndoshta jo. Kemi shumë mundësi. Kjo gjithashtu do të thoshte se duhej të qëndronim atje për një kohë”, u shpreh Trump për Financial Times.
Ai u shpreh gjithashtu se besonte se Irani kishte pak ose aspak mbrojtje në ishull.
“Mund ta merrnim shumë lehtë”, tha ai.
Komentet e Trump vijnë në një kohë që ai rrit përgatitjet për përforcimin e ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa po shqyrton një operacion ushtarak për të nxjerrë qindra kilogram uranium nga Irani.
Sipas mediave të huaja, Pentagoni po vendos deri në 10,000 trupa shtesë tokësore në rajon, me Komandën Qendrore të SHBA-së që njoftoi të shtunën se mbi 3,500 trupa, përfshirë 2,500 marinsa, kishin mbërritur në Lindjen e Mesme.
Pavarësisht kërcënimit për pushtimin e ishullit Kharg, Trump vuri në dukje se bisedimet indirekte midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nëpërmjet zyrtarëve pakistanezë po bënin përparim.
“Një marrëveshje mund të arrihet mjaft shpejt”, tha ai.
Çmimet e naftës janë rritur që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme masive ndaj Iranit më 28 shkurt, me naftën e papërpunuar Brent që u rrit deri në 119.5 dollarë për fuçi në mars, më e larta që nga qershori 2022. /kb
