Presidenti amerikan Donald Trump ka mirëpritur arrestimin e pesë burrave në Britani, të dyshuar për përgatitjen e një sulmi terrorist pranë bazës ajrore RAF Fairford, duke e cilësuar operacionin si një zhvillim “fantastik”.
Duke folur për disa minuta me gazetarët në Illinois, Trump përshëndeti operacionin e autoriteteve britanike dhe pretendoi se personat e arrestuar “po planifikonin të shkaktonin dëm të madh”.
Trump tha se bashkëpunimi mes Uashingtonit dhe Londrës “funksionoi shkëlqyeshëm”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi rolin e agjencive amerikane në këtë rast.
“Ne i kemi ndjekur ata për një kohë të gjatë dhe më në fund i kapëm”, tha presidenti amerikan.
Sipas një deklarate të policisë, ngjarja nisi rreth orës 00:45 të së dielës, kur autoritetet morën një telefonatë për tre automjete të dyshimta që po lëviznin në drejtim të RAF Fairford.
Policia e armatosur mbërriti në zonë dhe arrestoi pesë burra, të cilët dyshohen për përgatitjen e një akti terrorist.
Rreth automjeteve të dyshimta është vendosur një perimetër sigurie prej 400 metrash, ndërsa një njësi speciale e ushtrisë britanike për asgjësimin e eksplozivëve po i kontrollon ato.
Policia e ka cilësuar rastin si një “incident të madh”, ndërsa ka theksuar se beson se situata është nën kontroll.
Si masë paraprake, 85 banesa janë evakuuar./mxh
