Presidenti kinez Xi Jinping e ka ftuar presidentin amerikan Donald Trump për një tjetër vizitë në Kinë gjatë këtij viti, në përfundim të vizitës shtetërore treditore të liderit kinez në Uashington.
Ftesa u bë sot gjatë një ceremonie çaji në Shtëpinë e Bardhë, ku dy presidentët diskutuan edhe mundësitë për takime të tjera.
Xi Jinping theksoi se dy liderët mund të kenë edhe dy mundësi të tjera për t’u takuar gjatë vitit, samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të zhvillohet në Kinë, dhe samitin e G20-s në Majami në dhjetor.
Presidenti kinez ftoi Trumpin dhe bashkëshorten e tij për të vizituar Kinën, ndërsa presidenti amerikan u përgjigj se e pranonte ftesën dhe se të dy do të vazhdonin të komunikonin.
Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, mbërritën të mërkurën në kryeqytetin amerikan për një vizitë shtetërore tre ditore.
Tensionet tregtare mes dy superfuqive ishin ndër çështjet kryesore të agjendës së bisedimeve.
Vizita u zhvillua në një klimë ku të dy liderët shkëmbyen publikisht deklarata miqësore, por pa rezultate të shumta konkrete të bëra të ditura nga takimet e tyre.
Shtetet e Bashkuara pritet të publikojnë të hënën më shumë detaje mbi përparimin e mundshëm të arritur në lidhje me mosmarrëveshjet tregtare me Kinën.
Bisedimet mes dy vendeve kanë përfshirë çështje të rëndësishme ekonomike dhe tarifore, ndërsa administratat e të dy liderëve po përpiqen të menaxhojnë marrëdhëniet tregtare dhe strategjike.
Presidenti Trump e ka vizituar Kinën për herë të fundit në maj.
Samiti i këtij viti i APEC-ut është planifikuar të zhvillohet në Shenzhen në nëntor.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se synon të marrë pjesë në këtë samit, çka ka nxitur spekulime për një takim të mundshëm trepalësh mes Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Megjithatë, një takim i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Vitin e kaluar, Trump dhe Xi u takuan në kuadër të samitit të APEC-ut në Korenë e Jugut, ku arritën një marrëveshje më të gjerë për armëpushim tregtar.
Takimi i ardhshëm i mundshëm në Kinë mund të shërbejë si një tjetër mundësi për diskutimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes dy vendeve, ndërsa detajet mbi rezultatet e vizitës së fundit pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim./mxh
