Last Updated on 10/10/2026 by Klara
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj vendimit për t’i dhënë Çmimin Nobel për Paqen juristes nga Afrika e Jugut, Navanethem “Navi” Pillay. Në një postim të gjatë në rrjetin e tij Truth Social, Trump e cilësoi vendimin si një “njollë të pashlyeshme për Norvegjinë”, duke vënë në pikëpyetje karrierën e fitueses dhe duke vlerësuar arritjet e tij diplomatike.
“Unë nuk di asgjë për këtë grua dhe as askush tjetër! Në fakt, me sa di unë, askush nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për të, përveç faktit që ajo, dukshëm, e urren Izraelin”, shkroi Trump, duke shtuar se nuk e dinte se çfarë kishte bërë ajo për ta merituar çmimin.
Më tej, presidenti amerikan pretendoi se duhej të kishte fituar “8 Çmime Nobel për Paqen”, pasi, sipas tij, kishte zgjidhur tetë luftëra. Ai shtoi se së shpejti do të zgjidhte ose do të fitonte edhe në dy konflikte të tjera, duke iu referuar luftërave në Iran dhe Ukrainë.
Trump renditi konfliktet që pretendon se ka zgjidhur: Kamboxhia dhe Tajlanda, Kosova dhe Serbia, Republika Demokratike e Kongos dhe Ruanda, Pakistani dhe India, Izraeli dhe Irani, Egjipti dhe Etiopia, Armenia dhe Azerbajxhani, si dhe Izraeli dhe Hamasi.
Në vijim të reagimit të tij, Trump e përshkroi Pillay si një “liberale që punon në Kombet e Bashkuara”, ndërsa në përfundim deklaroi se Çmimi Nobel për Paqen ishte diskredituar përgjithmonë nga një grup ideologësh radikalë, të cilët, sipas tij, janë kundër demokracisë dhe armiq të qytetërimit.
Presidenti amerikan e kishte kritikuar vendimin edhe më herët, gjatë një tubimi të premten në Sirakuzë, në shtetin e Nju Jorkut, ku e cilësoi atë si “të turpshëm dhe të sikletshëm”.
Kush është Navi Pillay?
E lindur në Durban, në bregun lindor të Afrikës së Jugut, Navanethem “Navi” Pillay ka një karrierë të gjatë në fushën e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.
Në vitin 2008, ajo u emërua Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, detyrë që e mbajti deri në vitin 2014.
Në fillim të karrierës së saj, Pillay punoi si avokate mbrojtëse për aktivistët kundër aparteidit, duke kontribuar në përpjekjet për garantimin e të drejtave të të burgosurve në ishullin Robben. Më pas, ajo shërbeu si gjyqtare e përkohshme në Gjykatën e Lartë të Afrikës së Jugut dhe si gjyqtare në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën.
Në vitin 2003, u emërua gjithashtu gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ku punoi në Dhomën e Apelit deri në vitin 2008.
Në vitin 2025, kur drejtonte Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit për Territorin e Pushtuar Palestinez, përfshirë Jerusalemin Lindor, dhe Izraelin, Pillay akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza.
Pas njoftimit se kishte fituar Çmimin Nobel për Paqen të premten, Pillay bëri edhe një koment me humor, duke iu referuar Trumpit.
“Nëse duartrokisni edhe pak më shumë, mund ta ndaj këtë çmim me Trumpin”, tha ajo, në një koment që duket se i referohej rastit të vitit të kaluar, kur fituesja e Nobelit për Paqen, liderja e opozitës venezueliane María Corina Machado, ia prezantoi çmimin presidentit amerikan.
SHBA vendos sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare
Reagimi i Trumpit vjen në një kohë kur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi të premten se SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Uashingtoni e ka akuzuar vazhdimisht gjykatën për veprime të politizuara dhe për atë që e konsideron si shënjestrim të Izraelit.
“Ne do të ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë të pabindur, duke i ndërprerë burimet financiare dhe duke paralizuar aftësinë e saj për të vepruar kundër nesh”, deklaroi Rubio në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale.
“Mesazhi ynë është i qartë: Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan nuk i nënshtrohen juridiksionit të kësaj GJPN-je të rreme”, shtoi ai./k.m
