Last Updated on 12/09/2026 by EL
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të dëshironte të shihte ribashkimin e Irlandës, duke prekur një prej çështjeve më të ndjeshme politike në ishullin irlandez. Deklarata u bë gjatë takimit me kryeministrin irlandez Micheál Martin, në kuadër të vizitës dyditore të Trump në Irlandë.
I pyetur për mundësinë e bashkimit të Republikës së Irlandës me Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, Trump u shpreh se një zhvillim i tillë do të ishte “fantastik”.
“Do të doja ta shihja të bashkuar. Kjo do të ndodhë përfundimisht. Mund të ndodhë që tani”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar se “sigurisht, Mbretëria e Bashkuar do të ketë diçka për të thënë për këtë”.
Çështja e statusit të Irlandës së Veriut ka qenë në qendër të dekadave të konfliktit të armatosur. Përplasjet mes nacionalistëve, kryesisht katolikë, që kërkonin bashkimin me Republikën e Irlandës, dhe unionistëve, kryesisht protestantë, që dëshironin të mbetej pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, shkaktuan rreth 3,600 viktima gjatë periudhës së njohur si “The Troubles”.
Marrëveshja e së Premtes së Mirë e vitit 1998, në ndërmjetësimin e së cilës luajti rol të rëndësishëm SHBA-ja, i dha fund në masë të madhe dhunës. Marrëveshja parashikon mundësinë e një referendumi për bashkimin e Irlandës nëse krijohet bindja se shumica e qytetarëve do të votonin pro.
Kryeministri britanik Andy Burnham është shprehur së fundmi se një referendum i ri nuk do të zhvillohet nëse nuk ekziston një mbështetje e qartë publike për të.
Gjatë vizitës në Dublin, Trump zhvilloi gjithashtu takime me presidenten irlandeze Catherine Connolly, ndërsa më pas pritet të udhëtojë drejt klubit të tij të golfit në Doonbeg, ku do të ndjekë turneun Irish Open.
Trump kritikon Europën
Gjatë konferencës së përbashkët me Martin, Trump kritikoi gjithashtu vendet europiane për politikat e tyre mbi tregtinë, energjinë dhe emigracionin.
“E urrej të shoh se çfarë po ndodh me Europën”, deklaroi Trump, duke u shprehur veçanërisht kritik për emigracionin. “Ajo që po i bëni vetes me emigracionin, po e shkatërroni veten”, tha ai.
Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu marrëdhënien e SHBA-së me aleatët europianë si “zhgënjyese”, duke iu referuar qëndrimit të disa vendeve europiane ndaj përpjekjeve të administratës së tij në luftën me Iranin dhe pasojave të krijuara nga mbyllja e ngushticës strategjike të Hormuzit.
Megjithatë, Trump theksoi se SHBA-ja vazhdon të ruajë marrëdhënie pune me aleatët e saj europianë.
Vizita në Irlandë është një tjetër shembull i ndërthurjes së angazhimeve zyrtare të Trump me interesat e tij private. Presidenti amerikan pritet të ndjekë nga afër Irish Open në një nga klubet e tij të golfit, ndërsa edhe më herët gjatë këtij viti disa turne profesionistë janë zhvilluar në pronat e tij në SHBA dhe Europë.
