Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të ndalojë sulmet ndaj rafinerive dhe infrastrukturës ruse të karburanteve.
Duke folur me gazetarët në klubin e tij të golfit në Doonbeg, Irlandë, Trump tha se Zelensky “duhet të ndalojë goditjen e karburantit dizel në Rusi”, duke argumentuar se sulmet po kontribuojnë në mungesën globale të naftës së përpunuar.
“Ka shumë objektiva të tjera. Mos godisni karburantin dizel. Kjo po dëmton botën”, u shpreh Trump.
Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj rafinerive dhe objekteve energjetike ruse, duke shkaktuar ulje të prodhimit të karburanteve dhe mungesa brenda Rusisë. Kievi i konsideron këto objekte objektiva legjitime ushtarake, pasi ato furnizojnë me karburant ushtrinë ruse dhe gjenerojnë të ardhura për Moskën.
Sipas Trump, goditjet ndaj infrastrukturës ruse po ndikojnë gjithashtu në tregun ndërkombëtar të karburanteve dhe po shtojnë presionin mbi çmimet.
Megjithatë, tregu global është aktualisht nën presion edhe për shkak të ndërprerjeve të mëdha të furnizimeve në Lindjen e Mesme./mxh
