Trupi i ushtarit francez të vrarë në Libanin jugor pritet të kthehet në Paris mbrëmjen e sotme.
Ngjarja ndodhi në fshatin Ghandouriyeh në jug të Libanit, ku dy prej ushtarëve të plagosur janë në gjendje të rëndë. UNIFIL ka konfirmuar se vlerësimet e para sugjerojnë se sulmi është kryer nga grupe jo-shtetërore, dhe ka nisur një hetim për atë që e ka quajtur “një sulm të qëllimshëm”.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar sulmin në bisedën telefonike me homologun libanez Joseph Aoun dhe Kryeministrin Nawaf Salam, duke thënë se provat deri tani tregojnë se vrasjen mund ta kenë kryer persona pranë Hezbollahut dhe ka kërkuar që qeveria libaneze të veprojë kundër të dyshuarve.
Grupi i armatosur Hezbollah-u ka mohuar çdo lidhje me sulmin dhe ka kërkuar “kujdes në formulimin e gjykimeve lidhur me këtë incident”.
Një ditë pas sulmit, ushtria e Libanit ka dënuar aktin dhe ka hapur një hetim, ndërkohë që Presidenti Aoun ka shprehur ngushëllime dhe ka urdhëruar hetimin e menjëhershëm të ngjarjes./mxh
