Truri femëror plaket më ngadalë. Me kalimin e kohës truri i mashkullit humb më shumë në volum dhe zona cerebrale në krahasim me atë femëror të shëndetshëm. Ndryshimet strukturore dhe vrojtimet mbi evolucionin në kohë të strukturës së trurit janë vërejtur mbi 4700 persona të shëndetshëm në 14 vite. Gjatë kësaj kohe janë realizuar 12 mijë e 500 rezonanca magnetike funksionale për të kuptuar ndryshimet strukturore në kohë.
Imazhet bënë të mundur të kuptohet si ka ndryshuar në kohë dendësia e masës gri, që përmban bashkësinë e trupave të neuroneve, dhe hipokampin, strukturë esenciale e kujtesës, nëse kishte pësuar zvogëlim.
Rezultoi se meshkujt kishin një reduktim volumesh më të lartë se gratë. Sipas ekipit të autorëve të Universitetit të Kalifornisë, ndoshta një ndër faktorët që ndikon është pikërisht roli i kromozomit X, dyfish tek gratë. E megjithatë ajo që vërehet nga studime të shumta, është fakti se gratë janë më shumë të prekura nga sëmundjet e moshës, si Alzheimer, demencë, sklerozë e shumëfishtë, dhe një gjen i kromozomit X ndikon në inflamacionin e qelizave imunitare të trurit.
Studime të mëtejshme do të vijojnë pasi në këtë punë kërkimore nuk janë konsideruar personat me nivel të lartë arsimor e intelektual, që janë një faktor vendimtar mbrojtës në funksionet cerebrale, dhe natyrisht jo i shtrirë në pjesën më të madhe të popullsisë./mxh
