Nëse sot tualeti publik është zakonisht një vend ku njeriu hyn, kryen punën dhe largohet sa më shpejt, në Romën e lashtë ai mund të kishte një funksion krejt tjetër. Ishte nevojë higjienike, por edhe hapësirë shoqërore, vend takimi, skenë për thashetheme, humor vulgar dhe madje një lloj “rrjeti social” i gdhendur në mur.
Në vitet e Perandorisë Romake, publicae latrinae u përhapën në të gjithë qytetin. Sipas historianit gjerman Karl Wilhelm Weeber, tualetet publike ishin ndër shërbimet e zakonshme të jetës urbane dhe ishin të aksesueshme për qytetarët. Në vitin 315 pas Krishtit, Roma kishte rreth 4 mijë vende të tilla, të shpërndara në 144 pika.
Foricae, siç quheshin disa prej tyre, ishin dhoma të mëdha ku mund të uleshin njëherësh 30 apo 40 njerëz. Ulëset prej mermeri ishin të shpuara dhe të vendosura zakonisht në formë patkoi, njëra pranë tjetrës. Poshtë tyre kalonte një kanal me ujë të rrjedhshëm që largonte mbetjet drejt sistemit të kanalizimeve, përfshirë Cloaca Maxima, një nga veprat më të famshme inxhinierike të Romës.
Privatësia, me standardet e sotme, ishte pothuajse e panjohur. Nuk kishte kabina të ndara. Burra, gra dhe fëmijë mund të gjendeshin në të njëjtën hapësirë. Në vend të letrës higjienike përdorej një sfungjer i vendosur në një shkop, i cili shpëlahej me ujë.
Por pikërisht mungesa e privatësisë e kthente latrinën në një vend ku njerëzit jo vetëm kryenin nevojat, por edhe bisedonin. Mund të uleshe pranë dikujt dhe të filloje një muhabet, ashtu siç ndodh sot në një kafene apo në një shesh. Madje poeti Martial tallej me njerëzit që kalonin një pjesë të madhe të ditës në tualete, duke kërkuar ndonjë ftesë për darkë.
Dhe, siç duket, romakët nuk e humbnin rastin për të bërë shaka.
Arkeologjia ka nxjerrë në dritë një tjetër aspekt të jetës së tyre: muret e tualeteve publike dhe banjave ishin shpesh të mbushura me grafite. Dhe jo grafite të tipit “Romani ishte këtu”. Kishte ofendime, deklarata erotike, reklama seksuale, thashetheme, shaka vulgare dhe mesazhe që sot do të quheshin pa mëdyshje “të pista”.
Në Pompe, Herculaneum dhe në pika të tjera të Perandorisë janë gjetur mbishkrime të tilla. Disa janë jashtëzakonisht të drejtpërdrejta: përmendin marrëdhënie seksuale, organe intime, dëshira dhe ofendime me një gjuhë që nuk lë shumë hapësirë për interpretim. Të tjera janë më të tërthorta, duke përdorur humorin, ironinë ose emrat e njerëzve të njohur për autorët e tyre.
Një nga vlerat më të mëdha të këtyre grafiteve, për studiuesit, nuk qëndron te vulgariteti i tyre. Përkundrazi. Ato janë dokumente të rralla të gjuhës së folur. Poetët si Catullus dhe Martial na kanë lënë një letërsi të pasur, përfshirë vargje me përmbajtje seksuale, por grafitet e zakonshme tregojnë se edhe njerëzit e thjeshtë përdornin një fjalor të drejtpërdrejtë dhe shpesh brutal.
Në këtë kuptim, muri i një latrine romake mund të jetë po aq interesant për një gjuhëtar sa një dorëshkrim për një historian të letërsisë.
Edhe jeta e përditshme rreth higjienës ishte e lidhur me ekonominë. Shumica e njerëzve nuk kishin banja private; një luks i tillë ishte kryesisht privilegj i shtresave të pasura. Për nevojat shtëpiake përdoreshin edhe enë për mbetjet, ndërsa urina mblidhej në enë të posaçme. Dhe urina kishte vlerë: përmbante amoniak dhe përdorej nga larësit dhe ngjyruesit e tekstileve.
Perandori Vespasian vendosi edhe një taksë mbi mbledhjen e urinës. Kur u kritikua për një taksë kaq të pazakontë, sipas Suetoniusit, ai shqiptoi shprehjen që mbeti proverbiale: pecunia non olet — “paraja nuk qelbet”.
Romakët, megjithatë, nuk ishin gjithmonë shembull i disiplinës urbane. Në Pompe dhe qytete të tjera janë gjetur edhe paralajmërime kundër ndotjes dhe hedhjes së mbeturinave në vende të papërshtatshme. Edhe qyteti më i fuqishëm i botës së lashtë kishte problemet e veta me njerëzit që nuk respektonin rregullat.
Në fund, latrinat romake na tregojnë diçka më interesante sesa mënyrën se si një qytetërim i lashtë menaxhonte mbetjet. Ato na tregojnë njerëzit.
Sepse njeriu, edhe para dy mijë vjetësh, ishte po ai: ulej pranë të tjerëve, fliste, qeshte, përgojonte, kërkonte të bënte përshtypje, linte një mesazh në mur dhe, herë pas here, shkruante edhe diçka që nuk do të donte ta lexonte më vonë.
Roma kishte ujësjellës, kanalizime, banja madhështore dhe inxhinieri të jashtëzakonshme. Por kishte edhe diçka shumë më të zakonshme: njerëz që bënin muhabet në tualet.
Dhe, në këtë pikë, distanca prej dy mijë vjetësh duket papritur shumë e shkurtër.
Burimi: bazuar nga disa shkrime te botuar ne focus.it
