Turqia do të vazhdojë të mbajë trupa ushtarake në Siri dhe Irak derisa të garantohet plotësisht siguria në kufijtë me të dyja vendet fqinje, deklaroi sot ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, duke theksuar se prania ushtarake e Ankarasë do të rishikohet kur të plotësohen kushtet e nevojshme për sigurinë rajonale dhe kufitare.
Turqia ka vendosur prej vitesh trupa në veri të Sirisë dhe Irakut, me synimin për të parandaluar kërcënimet nga militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe grupi xhihadist Shteti Islamik (ISIS).
Megjithatë, situata në rajon ka ndryshuar pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit në Siri dhe ardhjes në pushtet të një qeverie të re, aleate të Ankarasë, si dhe përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit disa dekadash mes Turqisë dhe PKK-së.
Sipas Gulerit, Turqia ka vendosur një bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë me qeverinë e re siriane.
Trupat turke po ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve të ushtrisë siriane dhe në garantimin e sigurisë së kufirit.
Ministri theksoi se rishikimi i pranisë ushtarake turke do të bëhet vetëm pasi kërcënimet terroriste të jenë eliminuar, siguria kufitare të jetë garantuar dhe autoriteti shtetëror të jetë vendosur në mënyrë të plotë dhe të njëtrajtshme në të gjithë territorin sirian.
Në kohën e rrëzimit të Assadit, Turqia kishte rreth 16 mijë deri në 18 mijë trupa në veri të Sirisë, sipas një zyrtari turk.
Megjithatë, që prej asaj kohe nuk ka të dhëna të besueshme për numrin aktual të ushtarëve të dislokuar atje.
Në Irak, ku forcat turke kryejnë operacione ndërkufitare dhe sulme ajrore kundër pozicioneve të PKK-së, vlerësohet se janë të dislokuar nga 800 deri në 1 000 ushtarë, sipas një burimi irakian të sigurisë.
Prania e tyre ka shkaktuar prej vitesh tensione mes Ankarasë dhe Bagdadit.
Ministri turk tha se numri dhe pozicionimi i trupave në të dyja vendet përcaktohen sipas nevojave në terren, nivelit të kërcënimeve dhe zhvillimeve të sigurisë./mxh
