Last Updated on 31/05/2026 by EL
Turqia ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Japoninë në zhvillimin dhe prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot (UAV), duke hapur perspektiva të reja në industrinë e mbrojtjes.
Deklarata u bë nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili vlerësoi se një partneritet i tillë mund të krijojë përfitime të rëndësishme strategjike dhe teknologjike për të dy vendet.
Sipas Fidanit, Turqia është shndërruar në një nga prodhuesit kryesorë të dronëve në botë dhe synon të thellojë bashkëpunimin me Tokion në sektorin e mbrojtjes.
“Turqia dhe Japonia kanë kapacitete që plotësojnë njëra-tjetrën dhe ne besojmë se ekziston një potencial i madh për një bashkëpunim të dobishëm për të dyja palët”, u shpreh ai.
Kryediplomati turk theksoi se Ankaraja ka zhvilluar aftësi të avancuara dhe të testuara në terren në fushën e sistemeve ajrore pa pilot, si edhe në teknologjitë për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve. Këto kapacitete, sipas tij, mund të shërbejnë si bazë për projekte të përbashkëta me Japoninë.
Përtej industrisë së mbrojtjes, Fidan nënvizoi se ekzistojnë mundësi të mëdha bashkëpunimi edhe në sektorë të tjerë strategjikë, përfshirë energjinë, transformimin digjital, robotikën dhe teknologjitë e avancuara.
Ai shtoi se të dy vendet mund të përfitojnë nga krijimi i zinxhirëve më elastikë të furnizimit dhe nga shkëmbimi i ekspertizës teknologjike, duke theksuar se potenciali aktual i bashkëpunimit mes Turqisë dhe Japonisë mbetet ende larg shfrytëzimit të plotë./et
