Kryeministri polak Donald Tusk mbërriti në Berlin, ku u prit me nderime ushtarake nga kancelari gjerman Friedrich Merz, në kuadër të Konsultimeve të 8-ta Ndërqeveritare Gjermano-Polake.
Mediat gjermane e kanë përshkruar së fundmi marrëdhënien mes dy vendeve si “të tensionuar”, ndërsa vizita e Tusk në Berlin pritej të fokusonte vëmendjen tek konferenca e përbashkët për shtyp e dy liderëve, pas bisedimeve me dyer të mbyllura.
Një nga temat delikate ka qenë rasti i një shtetasi ukrainas, Volodymyr Z., i kërkuar nga Gjermania për dyshime mbi përfshirjen në shpërthimet që dëmtuan gazsjellësit Nord Stream. I ndaluar pranë Varshavës në fund të shtatorit, ai mund të ekstradohet vetëm me vendim gjykate.
Në tetor, Tusk tha se nuk ishte në interes të Polonisë ta dorëzonte menjëherë të dyshuarin, duke nënvizuar se vendimi përfundimtar i takon drejtësisë. Ai përsëriti qëndrimin e hershëm të Varshavës kundër gazsjellësve Nord Stream, të cilët Polonia i ka cilësuar si projekte që e bënë Evropën të varur në mënyrë të rrezikshme nga energjia ruse.
Konsultimet në Berlin synojnë të qetësojnë tensionet dhe të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në siguri, energji dhe çështje europiane./mxh
