Last Updated on 27/09/2026 by Anisa
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Bledar Cafin, i arrestuar një ditë më parë në Shkodër në kuadër të një operacioni të SPAK.
Cafi nuk ka folur para gjyqtarit, por është përfaqësuar nga avokati.
Cafi u arrestua në orët e para të mëngjesit të së shtunës, gjatë një operacioni të zhvilluar në banesën e tij në Shkodër.
Ai dyshohet si një nga porositësit e ngarkesës prej 427 kg kokainë, e kapur në portin e Roterdamit, në Holandë, në vitin 2020. Nga bisedat e zbardhura në Sky ECC, sasia e drogës, me vlerë miliona euro, ishte nisur me kontenier nga Ekuadori.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë punën për kapjen e një personi tjetër, i cili nuk është gjetur në banesë gjatë operacionit. Sipas të dhënave, në kërkim është shpallur Endrit alias Indrit Dokle./ad
