Last Updated on 12/11/2026 by EL
Detaje të reja janë publikuar lidhur me vrasjen e 39-vjeçarit vlonjat Luka Beqiraj, i njohur me nofkën “Kriols”, që u ekzekutua me breshëri plumbash të martën në provincën e Alicante-s.
39 vjeçari përshkruhet nga mediet spanjolle si një person me të kaluar kriminale dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në grupe mafioze italo-shqiptare, të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe të armëve.
Në vitin 2016, ai ishte arrestuar në Shqipëri, pasi dyshohej se kishte ushtruar dhunë të rëndë ndaj një personi tjetër, duke e plagosur rëndë.
Tre vjet më vonë, në vitin 2019, Beqiraj u arrestua sërish gjatë operacionit të gjerë “Fiori di Primavera” (Lulet e Pranverës), të zhvilluar nga policia italiane. Operacioni përfshiu më shumë se 100 efektivë dhe çoi në pranga 27 persona, pas dy vitesh hetimesh. Mes të arrestuarve në këtë operacion ishte edhe emri i Beqirajt.
Grupi kriminal me të cilin dyshohet se kishte lidhje kishte baza në provincën e Leçes, në jug të Italisë, ndërsa shtrirja e tij përfshinte edhe rajone të tjera, si Kalabria, Toskana, Emilia-Romanja, Sicilia, Liguria dhe Lombardia.
Autori i vrasjes, i cili qëlloi ndaj 39-vjeçarit në zonën e Playa Flamenca, është ende në kërkim. Deri më tani, një prej pistave të hetimit është se vrasja mund të ketë qenë ndodhur për larje hesapesh, për shkak të borxheve që Beqiraj mund të kishte nga e kaluara e tij kriminale./et
