Aktorja e njohur turke, Hande Erçel, ka rezultuar negative në testet e kryera në kuadër të një hetimi për drogë të zhvilluar në Stamboll, ku u përfshinë edhe disa figura publike.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat turke, analizat e realizuara nga Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk kanë zbuluar asnjë gjurmë të përdorimit të substancave narkotike. Rezultatet e testeve kanë dalë plotësisht negative, duke përjashtuar çdo dyshim mbi përdorimin e drogës nga ana e aktores.
Hetimi, i udhëhequr nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit, përfshiu ndalimin dhe marrjen në pyetje të disa personazheve të njohur. Në këtë kuadër, nga të dyshuarit u morën mostra gjaku dhe flokësh për analiza të detajuara.
Hande Erçel, emri i së cilës u përmend në këtë hetim, ishte kthyer në Turqi për të dhënë deklaratën e saj pranë prokurorisë. Gjatë dëshmisë, ajo mohoi kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka përdorur kurrë substanca narkotike apo stimuluese gjatë jetës së saj.
Aktorja gjithashtu shprehu shqetësimin dhe trishtimin për lajmet që qarkulluan në publik lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, autoritetet bëjnë të ditur se hetimet për personat e tjerë të përfshirë në këtë rast vijojnë ende./mxh
