Është ndarë nga jeta një nga figurat më të respektuara të sportit vlonjat, ish-lojtari i Flamurtarit, Pandeli Opingari.
Ai ka ndërruar jetë pas plagëve të marra në një aksident rrugor dy ditë më parë, teksa po kalonte rrugën në vijat e bardha në qytetin e Vlorës.
Ngjarja u shënua më 2 janar në rrugën “Demokracia”, ku 96-vjeçari u godit nga një automjet tip “Audi”, i drejtuar nga një 22-vjeçar me inicialet O.A. Opingari u dërgua menjëherë në spital dhe mbeti për disa orë nën kujdes intensiv, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë.
Policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe ka nisur procedurat ligjore për aksidentin, i cili ndodhi në momentin që i moshuari po kalonte në këmbë.
Pandeli Opingarit ka qenë pjesë e Flamurtarit në vitet ’60–’70, mësues i edukimit fizik, trajner dhe një emër i çmuar i komunitetit sportiv e qytetar./K.M
