Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë punonjësi i Ndërmarrjes së Shërbimeve në Komunitet në Gjirokastër, me inicialet D.K., 55 vjeç, i cili ishte plagosur rëndë pas një aksidenti në vendin e punës.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 mars, në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës, ku punonjësi u rrëzua nga kati i dytë i një godine private gjatë kryerjes së punimeve për pastrimin e objektit, i cili ishte sekuestruar nga banka.
Si pasojë e rënies, ai pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës, ku nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy përgjegjësit teknikë, shtetasit P.C. dhe A.B., ndërsa për shtetasin A.L., me detyrë brigadier, është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
