Nëna e tre fëmijëve që u gjetën të vetëm ditën e sotme në një apartament në Durrës, ka reaguar pasi u procedua penalisht nga policia.
Në një prononcim për mediat, ajo është shprehur se është e divorcuar prej 5 vitesh dhe se i lë fëmijët së bashku kur shkon në punë. Po ashtu ajo ka akuzuar ish-vjehrrën e saj, e cila ishte dhe personi që bëri denoncimin, se i kishte ngritur kurth.
“Kam tre fëmijë, 5, 10 dhe 12 vjeç. Jam e divorcuar prej 5 vjetësh dhe punoj banakiere. Të tre fëmijët i lë së bashku kur shkoj në punë sepse paguhem 400 mijë lekë në muaj dhe paguaj 300 mijë lekë qera. Nuk kam mundësi të rri me ta gjatë gjithë kohës, por kurrë nuk i braktis. Ky është një kurth. Nuk e di si mund të ndodhë që dikush të hyjë në shtëpinë time pa leje dhe të më denoncojë në polici,” është shprehur ajo.
Ndërkohë më herët, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se tre fëmijët ndodhen në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna. Bëhet po ashtu me dije se iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme.
“Pas sinjalizimit nga media ditën e sotme, mbi braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Operatorin e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre.
Pak minuta më parë, tre fëmijët kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme. Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve” thuhej në reagimin e ministrisë. /Kb
