Modelja e njohur Romi Strijd ka zbuluar se është refuzuar nga Victoria’s Secret, pavarësisht se ishte përgatitur për javë të tëra me shpresën për t’u rikthyer në sfilatën e famshme.
31-vjeçarja, e cila mori pjesë në sfilatat e markës nga viti 2014 deri në vitin 2018, tregoi në TikTok se kishte kaluar pesë javë në pritje të një përgjigjeje pas audicionit në Nju Jork.
Në një video të publikuar më pas, modelja u shfaq e përlotur, duke zbuluar se kishte marrë një përgjigje negative.
“Është një ‘jo’, dhe kjo është në rregull, sepse refuzimi është pjesë e modelingut”, u shpreh ajo.
Sipas Strijd, agjencia e saj i kishte komunikuar se ishte vlerësuar pozitivisht, por organizatorët kishin vendosur se nuk do të përshtatej me sfilatën e këtij viti.
Modelja tha se ajo që e kishte lënduar më shumë nuk ishte refuzimi, por mungesa e komunikimit të qartë, pasi kishte vazhduar stërvitjen gjatë gjithë verës, duke mos ditur nëse do të merrte pjesë.
“E gjithë kjo histori nuk ka kuptim dhe kjo më bën të ndihem edhe më keq sesa fakti që nuk e mora punën. Nuk ndiej se kam mbështetjen e agjencisë sime”, deklaroi ajo.
Romi, e cila është nënë e dy fëmijëve, shtoi se përvoja i kishte shkaktuar stres të madh emocional. Ajo la të kuptohet se nuk do të marrë pjesë më në audicionet e ardhshme të Victoria’s Secret, duke theksuar se dëshiron të ruajë kujtimet pozitive nga vitet kur ishte pjesë e markës./mxh
