Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër ka vendosur sot të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-zëvendësdrejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Dibër, Danjel Gjura, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Enkeleda Halilaj, vetëm dy ditë pasi Gjura u vetëdorëzua në polici.
Ai ishte shpallur në kërkim prej disa javësh, si i dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi për tjetërsimin e pronave në këtë rreth.
Sipas vendimit të gjykatës, është pranuar pjesërisht kërkesa e Prokurorisë, duke ndryshuar masën ekstreme të sigurisë “arrest në burg” (të caktuar në mungesë më 17 qershor 2026), me dy masa më të lehta: “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”./mxh
